
Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës mund të vijë gjatë takimit mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Donald Trump, më 16 korrik në Helsinki.
Kjo sipas të përditshmes serbe “Blic”.
“Europa nuk ka as forcën dhe as vullnetin apo mundësitë që të detyrojë palën shqiptare të bëjë diçka. Për këtë arsye, ekziston mundësia që të jenë Trump dhe Putin ata që do të gjejnë zgjidhje për një çështje kaq të rëndësishme për Serbinë, që gjithashtu të pranohet edhe nga Europa”, shkruan gazeta serbe, duke cituar burime diplomatike anonime.
Sipas këtyre të fundit, dy presidentët do të gjejnë kohën edhe për çështjen e Kosovës “pak kohë sa për të shkëmbyer mendime, por sadopak do të ishte e mjaftueshme për të lëvizur nga stanjacioni ku është futur kjo çështje e për t’iu afruar zgjidhjes”.
“Trump e Putin do të marrin një vendim për Kosovën brenda fundit të vitit. Ekziston një mundësi e madhe që të arrihet në një zgjidhje konkrete”, thuhet në shkrimin e “Blic”.



