Euro ka regjistruar një tjetër rekord historik të zhvlerësimit në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, monedha europiane është këmbyer sot me mesatarisht 93.73 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Shqetësimi i ekspertëve nuk lidhet vetëm me nivelin e ri të kursit, por edhe me ritmin e shpejtë të rënies gjatë muajit korrik, çka sipas tyre sinjalizon se forcimi i lekut mund të vijojë edhe në javët në vazhdim.
Fenomeni u analizua në emisionin MCN Economy nga tre këndvështrime të ndryshme, me kreun e Shoqatës së Eksportuesve, Edvin Prence, ekspertin e ekonomisë Pano Soko dhe juristin Romeo Kara.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, argumentoi se zhvlerësimi i euros nuk përputhet me treguesit realë të ekonomisë shqiptare. Sipas tij, kursi i këmbimit duhet të pasqyrojë balancën mes kërkesës dhe ofertës së valutës, ndërsa sot situata tregon të kundërtën.
Në vitin 2013 euro ishte stabilizuar rreth 140 lekë dhe ai ishte një kurs që pasqyronte ekuilibrin natyror të tregut. Atëherë Shqipëria kishte një deficit tregtar rreth 3 miliardë euro, i cili mbulohej nga remitancat, turizmi dhe burime të tjera valutore. Sot deficiti ka shkuar në rreth 5 miliardë euro, pra nevoja për importe është rritur me afro 70%. Logjikisht, kjo nuk justifikon një lek kaq të fortë.
Soko theksoi se turizmi ka shtuar hyrjet valutore, ndërsa remitancat kanë mbetur në nivele të ngjashme me vitet e mëparshme. Sipas tij, elementi që ka ndryshuar ndjeshëm janë investimet e huaja, veçanërisht në pasuritë e paluajtshme, por edhe këtu ai ngre pikëpyetje.
Rritja ekonomike që ka sot Shqipëria nuk justifikon këtë bum të investimeve në pasuri të paluajtshme. Nuk ka logjikë që një investitor i huaj të zgjedhë të blejë një apartament 300 mijë euro në Shqipëri, kur me të njëjtën shumë mund të investojë në qytete si Barcelona apo Milano. Kjo ngre dyshime se një pjesë e këtyre investimeve janë në fakt kapitale shqiptare që paraqiten si investime të huaja dhe deformojnë balancën valutore.
Ai shtoi se një pjesë e forcimit të lekut mund të lidhet edhe me hyrjen e kapitaleve informale.
Askush nuk mund të masë sasinë e parasë së pistë, pikërisht sepse ajo është e padeklaruar. Por kur ekonomia reale nuk e justifikon këtë forcim të lekut, lind pyetja se nga vijnë këto flukse valutore. Kjo tregon se para të padeklaruara futen në ekonomi dhe ndikojnë drejtpërdrejt në kursin e këmbimit.
Edhe juristi Romeo Kara e lidhi zhvillimin me informalitetin dhe mungesën e kontrollit mbi qarkullimin e parasë në ekonomi.
Ne nuk kemi një ekonomi që është rritur aq shumë në prodhim dhe eksporte sa të krijojë tepricë eurosh në treg. Një pjesë e vogël mund të shpjegohet nga zhvillimi ekonomik dhe turizmi, por pjesa tjetër mbetet e pashpjegueshme. Në këto kushte, ata që e paguajnë çmimin janë eksportuesit dhe ekonomia prodhuese, e cila duhet të ishte motori i zhvillimit.
Sipas Karas, në ekonomi ekziston një tepricë e konsiderueshme kapitalesh të padeklaruara, të cilat deformojnë tregun.
Ka shumë burime të mundshme informaliteti: paratë që qarkullojnë përmes lojërave të fatit, investimet që vijnë përmes kompanive offshore, fondet e korrupsionit apo të narkotrafikut. Mjafton të shohësh tregun e ndërtimit, ku kompanitë vazhdojnë aktivitetin edhe kur apartamentet nuk shiten. Kjo tregon se ekonomia është prekur rëndë nga informaliteti dhe shteti ka humbur kontrollin mbi tregun. Në fund, dëmtohet ai që punon ndershmërisht dhe prodhon.
Nga ana tjetër, kreu i Shoqatës së Eksportuesve, Edvin Prence, e cilësoi situatën si një krizë serioze për ekonominë shqiptare, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë.
Prej tre vitesh po përballemi me një rënie të vazhdueshme të kursit të këmbimit dhe unë e quaj këtë një pandemi ekonomike. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe kërkon ndërhyrje urgjente. Forcimi i lekut po godet eksportuesit, prodhimin vendas dhe gjithë ekonominë e brendshme.
Prence kritikoi mungesën e politikave konkrete për përballimin e krizës.
Qeveria duhet të marrë frenat në dorë dhe të ndërtojë politika që minimizojnë pasojat e kësaj situate. Sot po shohim rënie të prodhimit dhe të eksporteve shqiptare, ndërsa nuk po merren masa efektive. Nuk duhet të fokusohemi vetëm te kursi i euros, por te politikat zhvilluese që mbrojnë ekonominë reale. Një lek kaq i fortë është rrezik jo vetëm për eksportuesit, por edhe për prodhimin vendas dhe në afat më të gjatë edhe për vetë turizmin."
Rënia e mëtejshme e euros vijon të ndezë debatin mes ekspertëve mbi faktorët që po e ndikojnë tregun valutor, ndërsa biznesi eksportues paralajmëron se, në mungesë të ndërhyrjeve, pasojat mund të thellohen në muajt e ardhshëm.



