Një alarm i krijuar për shkak të një shtëllunge tymi pak blloqe larg ka mbyllur për disa çaste Kapitolin në Uashington. Forcat e sigurisë vepruan menjëherë, duke patur parasysh se protesta të dhunshme dhe të armatosura janë lajmëruar këto ditë në SHBA.
Të gjitha këto situata ndodhin dy ditë para se Joe Biden te betohet si presidenti i ri i Amerikës.
Përsa i përket tymit që u ngrit në ajër dhe shkaktoi panik, nuk kishte lidhje aspak me atë që po ndodh në politikën amerikane. Ai ishte pasojë e një zjarri aksidental që ndodhi disa blloqe larg Kapitolit.
Sakaq më herët një prove për ceremoninë e 20 janarit u anulua.
Mijëra forca të Gardës Kombëtare prej ditësh janë vendosur në Kapitol për të siguruar qetësinë e duhur gjatë ceremonisë. Kjo si pasojë e protestës së 6 janarit nga mbështetësit e Trump të cilët u futën në Kongres dhe për pasojë të përplasjes me policinë humbën jetën 5 persona.



