Një 61-vjeçar është kapur në flagrancë nga policia duke shitur celularë, ora dhe aksesorë të kontrabanduar në Sarandë.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës së mallrave, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë ka goditur një rast të shitjes së mallrave të kontrabanduara.

Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi Bujar Çupi 61 vjeç, banues në Finiq, për veprat penale “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.
Ky shtetas u kap në lagjen nr. 2, Sarandë, duke shitur celularë dhe aksesorë të ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 134 aparatë celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme.



