
“Jam i shqetësuar për afërsinë e qeverisë së re me Rusinë”. Manjati amerikano-hungarez, George Soros, e sheh me shqetësim qeverinë e re në Itali.
“Putin po përpiqet të dominojë Europën, nuk dëshiron ta shkatërrojë, por ta shfrytëzojë për kapacitetet prodhuese, ndërsa ekonomia ruse nën regjimin e tij ka në dorë vetëm lëndët e para dhe njerëzit”, është shprehur Soros.
Në fjalën e tij në Festivalin e Ekonomisë në Trento, Soros u shpreh se “mes Matteo Salvinit të Lega-s dhe Putinit ka një marrëdhënie të fortë dhe kjo përbën kërcënim”.
Nuk ka vonuar kundërpërgjigjja e Salvinit. “Nuk kam marrë kurrë një lirë, një euro apo rubla nga Rusia. E konsideroj Putinin një nga burrat më të mirë të shtetit dhe më vjen turp që në Itali vjen e flet një spekulant pa skrupuj si Sorosi”, u shpreh Salvini.
Salvini ka postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm në qeverinë e re në Itali. Ai është lideri i Lega-s, parti e qendrës së djathtë, që prej pak ditësh drejton vendin në aleancë me Lëvizjen 5 Yjet.



