Policia e Vlorës thotë se ka zbardhur gjashtë raste vjedhje, të kryera në Dukat, Radhimë dhe Orikum, duke vënë në pranga dy autorët e dyshuar.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rulot,” si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit J. S, 26 vjeç, banues në Orikum dhe G. G., 38 vjeç, banues në Dukat.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 14 dhjetor, në fshatin Dukat, kanë vjedhur një shumë prej 700 euro dhe 25,000 lekë në banesën e shtetases R. I., si dhe një rulot ( camper) në pronësi të shtetasit A. C., i cili u gjet dhe u sekuestrua gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G. G.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas dyshohen si autorë të katër vjedhjeve të tjera të kryera gjatë 3 muajve te fundit, konkretisht: Vjedhje të disa koshereve të bletëve në Radhimë dhe Llogara dhe vjedhje të disa bagëtive në Radhimë dhe Orikum.



