
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj inspektuan sot pikën kufitare të Morinës, në përgatitje të nisjes së sezonit turistik.
Meqë kjo pikë kufitare, gjatë sezonit veror, ka fluksin më të lartë të lëvizjes, ministrat u zotuan që të gjitha strukturat shtetërore në pikën kufitare të Morinës të jenë në gadishmëri të plotë për të ofruar një shërbim me cilësi sa më të lartë për të gjithë udhëtarët.
Nga ana e saj, ministrja Balluku e vuri theksin tek ulja e kohës së pritjes së qytetarëve që duan të kalojnë kufirin.
“Shërbimet e integruara janë ato, të cilat ne synojmë, pasi zvogëlojnë kohën e pritjes dhe ofrohen në mënyrën më cilësore dhe me standarde më të larta”, u shpreh Balluku.
Ministrja nënvizoi se në qarkun e Kukësit, fokusi i Ministrisë që drejton, është infrastruktura ku bëri të ditur se në fund të muajit qershor pritet të përfundojnë edhe punimet që po vijojnë përgjatë rrugës Kukës-Morinë, për të qenë gati për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve që ka në këtë aks rrugor gjatë sezonit veror.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoj nga autoritetet që të shtohen masat në drejtim të pritjes dhe menaxhimit sa më të mirë të fluksit të turistëve, duke e vënë theksin tek shtimi i masave që tradicionalisht janë ndërmarrë për patrullimin e përbashkët me autoritetet e Kosovës, si dhe për kontrollin e përbashkët mes dy vendeve.



