Profesori dhe studiuesi Ridvan Peshkopia tha në emisionin “Arnautisan” të gazetarit Mustafa Nano se përpjekjet për të ndërtuar një identitet të ri etno-nacional në Kosovë janë të pamundura, pasi bazohen te kufijtë politike. Peshkopia thekson se ata që kundërshtojnë bashkimin Shqipëri-Kosovë dhe janë për një identitet të ri etno-nacinal e urrejnë Shqipërinë. Sipas Peshkopisë Titizmi ka një ndikim të jashtëzakonshëm, dhe është një ide që prej 70 vitesh lufton me Shqiptarizmin në Kosovë.
“Këto përpjekje më duken të pamundura që të arrijnë një qëllim, për arsyen se kanë kapur gomarin nga bishti, duan të ndërtojnë një identitet të ri etno-nacional, bazuar nga kufijtë politikë, gjë që s’e ka bërë kurrkush deri më sot. Mund të ndërtosh një identitet të ri politik, por jo etno-nacional. Ata duan të ndërtojnë një komb të ri bazuar nga kufijtë politikë, është e pamundur. Është e pamundur të ndërtosh një komb etno-nacional nga kufijtë politikë.
Ata që kundërshtojnë bashkimin Shqipëri-Kosovë dhe ata që janë për një identitet të ri etno-nacional urrejnë Shqipërinë, dhe unë këtë nuk e them apriori. Ata kurrë nuk thonë një fjalë kundër Serbisë, ata flasin me urrejtje kundër Shqipërisë. Janë të motivuar nga urrejtja. Nuk e di pse. Mund të jenë përvoja personale, një mënyrë si e lexojnë historinë. Por ata që i kundërvihen bashkimit Shqipëri-Kosovë dhe kjo është e pagabueshme, e thotë një filozof i tyre, Blerim Latifi, ‘grrithe pak dikë që shan Shqipërinë dhe do të dalë një jugo-nostalgjik i thekur, për arsye se në Kosovë ka dy ide që luftojnë prej 70 vitesh, Titizmi dhe Shqiptarizmi. Gjithmonë e kemi nënvlerësuar ndikimin e titizmit në Kosovë. Ka ndikim të jashtëzakonshëm, tani në një formë të re, Neotitizmi, që s’kanë Titon në qendër të idesë, por zgjidhjet e tij gjeo-politike”.



