6 tetori në Gjykatën e Apelit me juridiksion të përgjithshëm në Tiranë dukej si çdo ditë tjetër rutinë, ku zhvilloheshin gjyqe në malin e dosjeve që presin për shqyrtim. Rrethe 45 mijë dosje stok ka kjo gjykatë si pasojë e reformës në drejtësi, problem që do ta prekim pak më poshtë në këtë dokumentar.
Gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe qytetarë të cilët presin me ankth, vendimet lëviznin nëpër ambientet e gjykatës me shpresën se do të marrin drejtësi.
Por, rutina e asaj ditë u prish në orën 15:35 ku në ambientet e gjykatës u dëgjuan disa të shtëna me armë. Një person kishte arritur që në një sallë gjyqi të fuste një pistoletë dhe të qëllonte mbi një gjyqtarë menjëherë sapo ai kishte dhënë një vendin kundër tij.
Gjyqtari Astrit Kalaja, u qëllua për vdekje pasi vendosi që të riktheje për gjykim gjykatën e Shkodrës një çështje kundërshtimin e veprimeve përmbarimore.
Në këtë proces palë ishin disa familje në qytetin e Shkodrës të cilat ishin të vendosura prej vitit 1993 në një godinë e cila pretendohej nga familja Shkambi me përfaqësues të saj Gjon Shkambin. Ky i fundit në vitin 2012 është pajisur me certifikatë pronësi për tokën ku është ngritur godina duke ushtruar të drejtën e parablerjes së godinës si ish-pronar.
Këtu nisi dhe kalvari nëpër gjyqe pasi 31 familjet pretendonin se familja Shkambi kishte falsifikuar dokumentet. Por përmbarimi nuk mundi ta ekzekutonte vendim për shkak se çështja shkoi në apel dhe kundërshtisë së fortë të banorëve, të cilët pretendonin se dosjes së familjes Shkambi i mungonin dokumenta dhe ishte e falsifikuar.
Radha e shqyrtimit të kësaj çështje në apel i erdhi pas 10 vitesh për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe stokut të dosjeve. Gjyqtari Kalaja vendosi ta dërgojë sërish dosjen në Shkallën e Parë pasi mungonin disa dokumentacione, por kjo nuk i ka pëlqyer Elvis Shakmbit, nipit të Gjon Shkambit, të cilët ishin së bashku në sallë.
Ai ka nxjerrë nga brezi një pistoletë duke qëlluar disa erë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja dhe më pas edhe në drejtim Ragip Kurtaj dhe Elvis Kurtaj të cilët ishin përfaqësuesit në këtë proces të familjeve që jetojnë në godinën e pretenduar nga familja Shkambi. Më pas thotë prokuroria në vendim për caktimin e masës së sigurisë Autori i ngjarjes ka dorëzuar armën tek punonjësi i sigurisë së gjykatës dhe ka pritur i qetë policinë e cila e ka arrestuar në oborrin e gjykatës.
Kronos do të sjell dinamikën që ka ndodhur në sallën e gjyqit ku humbi jetën gjyqtari Kalaja e cila kryesisht është rindërtuar nga dëshmitë e persona që ishin në sallë dhe pamjet e kamerave të sigurisë së gjykatës së apelit.
Të parën dëshmi që hetuesit kanë renditur si prova në vendim janë dëshmitë e Ragip dhe Elvis Kurtaj të cilët janë babë e birë. Ata tregojnë mbi konfliktin gjyqësor fillimisht dhe më pas atë çfarë ndodhi në sallë.
Elvisi e ka më të detajuar dëshminë e tij pasi tregon që në momentin që gjyqtari Kalaja vendos në favorin e tyre Gjon Shkambi është ngritur duke i thënë se po vërtetoj atë që ka thënë gjithë Shkodra për ty, që ti je…, prokuroria nuk e ka future në vendim se cila është fjala që Gjon Shkambi i thotë gjyqtarit. Ky i fundit i është drejtuar me fjalët vazhdo ti, vazhdo.
Në këtë moment vazhdon në dëshmi Elvis Kurtaj, Elvis Shkambi ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar fillimisht në drejtim të gjyqtarit dhe më pas në drejtim të tyre dhe si pasojë ai ka marrë dy plumba në krahë dhe babai i tij një plumb në pjesën e majtë të kurrizit.
Prokurroia ka pyetur edhe autorin e kësaj ngjarje shumë të rëndë Elvis Shakmbin i cili ka pranuar autorësinë e ngjarjes dhe gjithashtu ka zbardhur motivin dhe mekanizmin e saj. I riu është përpjekur që të mbajë larg dijenisë për planin e vrasjes xhaxhain e tij Gjon Shkambin dhe nuk pranon se ka bashkëpunuar me të.
Elvisi në dëshmi sqaron së gjyqtari Kalaja I bëri një padrejtësi familjes së tij me vendimin që dha pasi pronat sipas tij janë në emër të familjes së tij. I riu tregon se nxori armën të cilën e mbante në brez dhe ka qëlluar në drejtim të Astrit Kalasë I cili ishte duke u future në dhomën e këshillimit.
Pas kësaj ai thotë së ka qëlluar në mënyrë të pavetëdijshme dhe nuk ka pasur qëllim që të vrasë anëtarët e familjes Kurtaj. Një moment më vonë ai afrohet sërish drejt gjyqtarit i cili ishte i shtritë në tokë i gjallë dhe i vetëdijshëm. Pranë gjyqtarit ishte edhe sekretarja gjyqësore e cila i ka thënë disa herë të lutem, te lutem. Elvis Shkambi i ka thënë asaj që të qetësohej pasi nuk kishte punë me të.
Në këtë kohë ai ka dalë nga salla ku i është afruar punonjësi i sigurisë të cilit i ka dhënë armën. Ka dalë në oborr së bashku me xhaxhain të cilit i ka dhënë çelësat e makinës duke i kërkuar atij që të largohet pasi ai nuk kishte lidhje me të gjithë atë që ndodhi. Por kjo nuk ndodhi dhe të dy pritën policinë në oborr, e cila më pas I arrestoi të dy.
Elvis Shkambi tregon që xhaxhai i tij i ka thënë se më këtë veprim i kishte fikur por ai e kishte bërë këtë vrasje në kushtet të rënduara psikologjike pasi gjyqtari kishte dhënë një vendim të padrejtë ndaj familjes së tij e cila kishte më shumë se 13 vite që ishte në procese gjyqësore për një pronë që u takon. Në fund të dëshmisë Elvisi shpreh pendesë për krimin e kryer por gjithçka sipas tij ndodhi për shkak të vendimit të padrejtë të dhënë.
Elvis Shkambi kujdeset te sqarojë pozicionin e xhaxhait të tij, për të cilin thotë se kishte asnjë dijeni mbi armën apo planin e tij për të vrarë gjyqtarin. Ndërkohe që prokuroria ka kërkuar që të pyesë për hetimin e kësaj çështje edhe Gjon Shkambin i cili nuk ka pranuar të japë shpjegime për ngjarje. Por ka sqaruar se janë duke e marrë në qafë, pasi ai është viktimë në këtë rast duke qenë se nuk ka vrarë askënd. Ai ka sqaruar se nuk e dinte çfarë do të ndodhte sot dhe se Elvisi është djali i vëllait të tij më të cilin ka një pronë të përbashkët.
Dëshmi shumë interesante për rindërtimin e asaj që ndodhi në sallën e gjyqin është ajo e sekretares gjyqësore Xhuljana Kulla. Ajo shpjegon se pas vendimit të gjithë ata që ndodheshin në sallë përveç autorit kanë filluar të dalin jashtë. Ky i fundit ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar drejt gjyqtarit. Sipas saj ajo ka filluar të bërtasë dhe Elvis Shakmbi i është kthyer asaj duke i thënë se nuk ka asgjë me të. Me pas është drejtuar sërish nga gjyqtari i cili ishte rrezuar në tokë dhe e ka qëlluar sërish me një plumb tjetër. Pas këtij momenti Autori ka dalë nga salla dhe në këtë moment administrata ka njoftuat ambulancën.
Është pyetur edhe Banush Koxhaj i cili është punonjësi që kishte për detyre të kontrollonte autorin nëse kishte sende të ndaluara me vete, në këtë rast pistolete. Edhe pse pajisja ka punuar dhe identifikuar se Elvis Shkambi kishte një send të ndaluar me vete ai nuk e ka kontrolluar. Për këtë ai akuzohet nga prokuroria për shpërdorim detyre dhe ndodhet i arrestuar.
Por në vend që kjo ngjarje të sillte reflektim dhe të qetësonte klimën në sallat e gjyqeve në vend, po ndodh krejt e kundërta. Në 18 tetor në Elbasan do të ndalohej nga policia avokati Ulian Bajrami.
Në një seancë për rivlerësimin e masave të sigurisë në Gjykatën e Elbasanit për disa të arrestuar në një lokal në Bradashesh, avokati Ulian Barjami, i cili mbronte një nga të ndaluarit, iu drejtua prokurorit Gjergji Ceka se do të merrej personalisht me të pasi oficerët sipas tij kishin manipuluar provat për klientin e tij, shoqëruar me paralajmërimin për kallëzim ndaj tyre
Për këtë deklaratë, avokatit iu tërhoq vëmendja nga gjyqtarja, siç dëgjohet edhe audion e seancës, se ky është kërcënim dhe duhet të bëjë kujdes.
Avokati sqaron në sallë se kuptimi i personales ishte për të bërë kallëzim ndaj prokurorit dhe oficerëve, ndërsa në audio dëgjohet edhe prokurori Gjergj Ceka që shprehet, “ky duhet të arrestohet”. Një ditë pas kësaj përplasje avokati ndalohet.
Pas këtij momenti pati një reagim të madh publik duke ngritur pikëpyetje nëse veprimet marra ndaj avokatit ishin të bazuara në ligj. Dhoma e avokati shpalli 5 ditë bojkoton pasi sipas tyre kjo që ka ndodhur në gjykatën e Elbasanit ishte e frikshme dhe se është bërë shumë e vështirë që ushtrosh profesionin e avokatit.
Por pas një presioni të madh publik avokati Bajrami u lirua pasditën e dielën duke ngritur një pikëpyetje të madhe nëse po jetojmë në një republikë prokurorësh dhe nëse gjykata është kthyer në një notere të prokurorisë.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë u vu në lëvizje për të zbuluar shkeljet e mundshme dhe kush mund të ketë abuzuar me detyrën. Inspektorë te ILD-së tërhoqën në Elbasan të gjithë praktikën dhe rrethanat procedurale të ndalimit të avokatit.
Edhe Këshilli i Lartë i prokurorisë më ka kërkuar informacion për të vendosur më vonë se cfare do të bëj.
Ky incident, edhe pse nuk pati viktima, vë në dukje një tjetër aspekt të brishtë të drejtësisë shqiptare, përplasjet institucionale, arroganca profesionale, mungesa e etikës dhe tensionet që janë bërë të zakonshme në sallat e gjyqit.
Duke qenë se jemi tek tensionet institucionet e reja të drejtësisë që dolën nga reforma duhet të kenë një strategji të re për të përcaktuar arsyet që kanë çuar palët në proceset gjyqësore të shkojnë në masa të tilla siç janë vrasja e gjyqtari apo kërcënimi i pretenduar një prokurori në sallën e gjyqit. Dukshëm reforma në drejtësi nuk ka ndikuar në përmirësimin e perceptimit të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë.
U krijuan struktura të reja, u shkarkuan qindra gjyqtarë e prokurorë si të korruptuar apo të lidhur më krimin me premtimi se drejtësia e re do të ishte e pavarur, e pakorruptuar, e besueshme dhe do të merrej në një afat të arsyeshëm kohor.
Por sot, një pjesë e madhe e qytetarëve ndihen të zhgënjyer pasi proceset gjyqësore zgjasin me vite, vendimet shpesh nuk zbatohen dhe mbi të gjitha besimi tek institucioni i drejtësisë mbetet i brishtë.
Vetëm sukseset e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme nuk mjaftojnë, institucionet e reja të drejtësisë kanë harruar një gjë shumë të rëndësishme drejtësinë e përditshme të shqiptarëve e cila merret me hallet e tyre thelbësore, pronën, pensionin dhe fenomene të tjera.
Drejtësia e re, 10 vite pas miratimit të reformës në drejtësi nuk ka mundur ti sigurojë qytetarit shqipatar të paktën një vendim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Nëse një shqiptare vendos ti drejtohet sot gjykatave të apelit si asaj me juridiksion të përgjithshëm dhe asaj admnistrative duhet ti bëjë mirë llogaritë, pasi do ti duhej të priste me të paktën 10 vite.
Këto dy ngjarje , vrasja në Tiranë e gjyqtarit dhe përplasja në Elbasan mes prokurorit dhe avokatit, nuk janë thjesht episode të izoluara. Ato tregojnë një krizë të shumëfishtë, të sistemit. E para krizë sigurie gjykatat nuk janë të afta për të siguruar jetën e gjyqtarit dhe admnistratës.
E dyta dhe me rëndësishmja krizë autoriteti pasi gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët nuk janë të respektuar, pasi për 30 vite të gjithë së bashku kanë kontribuar që qytetarët ti shohin si pjesë e “korporate” që nuk kanë qëllim final drejtësinë por përfitimin. Kjo përkthehet edhe në krizë besimi e cila është me e rrezikshmja pasi mund të arrijë deri aty sa një qytetar mund të vrasë një magjistrat. E fundit krizë insitucionale pasi prokurorët, gjyqtaret dhe avokatët nuk komunikojnë më me njëri tjetrin por janë të ndarë dhe mendojnë secila palë ka të drejtë.
Në të gjithë këtë situatë çfarë ndodh a do të ketë reflektim pasi edhe reformimi i sistemit nuk mjaftoi. Largimi i qindra prokurorëve dhe gjyqtarëve të dyshuar si të korruptuar nuk po zgjidh dot problemin kryesore që kanë sot shqiptaret, dhënien e drejtësisë.
Por a janë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët që e kanë shkaktuar këtë situatë apo kemi të bëjmë dhe me faktorë të tjerë politik dhe ekonomik të cilët ndikojnë duke prodhuar tension, mosbesim, dhe në rastin më ekstrem vrasje e kërcënime.
Ne shohim që kryeministri Edi Rama ka akuzuar gjyqtarë dhe prokurorë me emër dhe mbiemër të cilët kanë dhënë vendime kundër interesit publik sipas tij. Sali Berisha, drejtuesi opozitës akuzon drejtësinë e reformuar se po e heton dhe gjykon në kundërshtim me ligjin. Ilir Meta dhe Erion Veliaj janë të njëjtin drejtim duke akuzuar prokurorë dhe gjyqtarë për njënashmëri në procesin e tyre.
Gjithashtu politika gjatë këtyre 35 viteve ka prodhuar disa ligje sa i takon pronësisë apo fenomeneve të tjera që kanë shqetësuar shqiptarët. Secila palë i drejtohet gjykatës me një ligj në dore dhe pretendon se ka të drejtë dhe një situatë të tillë nuk mund ta zgjidhe drejtësia.



