Ish-kryeministri Sali Berisha është bërë pjesë e protestës së demokratëve në çadrën para Kryeministrisë. Berisha u është bashkuar demokratëve mbrëmjen e kaluar, ndërsa apeloi për përshkallëzim të protetestës edhe jashtë Shqipërisë.
“Thirrja ime për emigracionin dhe diasporën është të marrin të gjitha masat që të organizojnë protesta pranë selive të qeverive ku janë, pranë Ambasadave të Shqipërisë, kundër regjimit të banditokracisë. Kjo është rruga e solidarizimit në mënyrë që për Shqipërinë të votojnë të gjithë shqiptarët.
Ky është revolucion paqësor. Zgjedhje të qershorit me Edi Ramën s’mund të ketë. Përveç vitit 1991 nuk ka pasur kurrë protestë 4 muaj para zgjedhjeve. Kjo protestë është këmbana më e fuqishme e alarmit. 4 muaj para zgjedhjeve nuk proteston asnjë forcë nëse nuk e konsideron jetike. Ishin gjysmë milioni shqiptar që erdhën me mision dje. Të gjithë ata që analizojnë këtë protestë të mos e harrojnë këtë. Në 1991 me kultin e Enver Hoxhës nuk kishte zgjedhje dhe tani me kultin e krimit nuk ka zgjedhje. Nëse Rama nuk pranon, PD do t’ia imponojë me një këmbë. Mosbindja civile ka 52 forma demokratike të saj. Kjo është vetëm njëra”, tha Berisha.



