Në shtator të vitit të kaluar, një shtesë pa leje është sekuestruar, në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, në kuadër të vendimit të qeverisë për konfiskimit e ndërtimeve pa leje.
Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, të cilat më vonë edhe janë sekuestruar nga shteti. Kompania Salillari, duke mos pranuar të paguajë gjobën kërkon shfuqizimin e vendimit të qeverisë. Gazetari Arsen Rusta raportoi sot për “MCN Live” lidhur me vendimin që pritet të marrë gjykata në lidhje me këtë çështje.
Rusta tha se “ gjyqtari Bezart Kaçkini do të vendosë nëse do pranojë këtë masë sigurie, kërkesën për ngrirjen e veprimtarive të institucioneve shtetërore deri në përfundimin e gjykimit të themelit, për të kuptuar nëse është i drejtë vendimi i qeverisë dhe IKMT-së”.
Rusta tha se "MCN Live ka marrë informacione në Prokurorinë e kryeqytetit, e cila për objektin ka nisur një hetim penal, pas kallëzimit penal të Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Prokuroria ka kërkuar një ekspertizë në objektin e konfiskuar, që aktualisht është pronë e shtetit shqiptar".



