Europës i shtohet një dhimbje koke, në Slloveni fiton partia antiemigrantë (VIDEO)

Europës i shtohet një dhimbje koke, në Slloveni fiton partia antiemigrantë (VIDEO)

Partia Demokratike Sllovene, SDS, është fituesja e zgjedhjeve të së dielës. Pasi janë numëruar 99.9% e kutive, SDS renditet e para me 25% të votave, çka pritet t’i japë 25 vende në Parlament. Qendra e majtë, LMŠ, e cila drejtohet nga komediani Marjan Šarec, u rendit e dyta me 12.7% (13 vende në Parlament), ndërsa socialdemokratët u pozicionuan të tretët me më pak se 10% të votave, afërsisht 10 vende në Parlament.

Por edhe pse fituese, SDS-së i duhen aleatë për të qeverisur. “Ndoshta do të na duhet të presim pak para se të nisim bisedimet për të formuar qeverinë e re”, tha Janez Janša, lideri i SDS-së, në një prononcim për AP.

Zgjedhjet e djeshme u mbajtën një javë para datës së planifikuar, për shkak se kryeministri Miro Cerar i Partisë Moderne të Qendrës dha dorëheqjen sepse dështoi në referendumin për një projekt hekurudhor. Partia e tij u rendit e katërta me vetëm 9.75% dhe pritet të marrë 10 vende në Parlament.

Lideri i SDS-së, Janša, një disident liberal gjatë komunizmit dhe dy herë ish-kryeministër, u shndërrua në një konservator me qëndrime antiemigrante, duke ndjekur modelin e fushatës së Viktor Orbanit në Hungari.

“Partia jonë i vendos sllovenët të parët”, tha Janša menjëherë pas daljes së rezultateve të para. “Ne jemi të hapur për bashkëpunim, Sllovenisë në këtë moment i duhet bashkëpunim”, shtoi ai.

Në zgjedhjet e së dielës votuan 52% e sllovenëve që gëzojnë të drejtën e votës. /Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy