Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar riekspertim të shkaqeve të zjarrit në Urgjencën e Spitalit Universitar “Nënë Tereza”, mëson Mcn Tv.
Ekspertiza bëhet me qëllim specifikimin teknik të restaurimit janë parashikuar dhe si janë kryer punimet. Gjithashtu, janë pyetur një sërë personash, kryesisht teknik të cilët kanë dhënë sqarime rreth shkaqeve që ata shikojnë të mundshme, kushteve të sigurisë apo cilësisë së pajisjeve apo mjeteve.
Më herët Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dosjen e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me rikonstruksionin e Urgjencës së QSUT. Kjo vjen në kuadër të hetimeve të nisura kryesisht pas zjarrit të rënë në katin e nëndheshëm të godinës së saporikonstruktuar.
Ngjarja u shënua më 11 shkurt duke shkaktuar kolaps në repartin e urgjencave dhe detyruar pacientët të merrnin trajtim mjekësor në spitale të tjera.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për Mcn bën me dije:
Pas më shumë se 40 ditësh Prokuroria e kryeqytetit nuk e ka ende një përgjigje finale se kush ishte shkaku real i zjarrit në Urgjencën e QSUT. Urgjenca e re me një vlerë prej më shumë se 11 milionë euro. Ndërsa akt-ekspertiza e Shërbimit Zjarrfikësi nxori si shkak një defekt teknik, që vinte nga dhoma e baterive të emergjencës. Por prokuroria ka të tjera dyshime dhe është drejtuesi i saj z. Arenc Çela që ka urdhëruar një ekspertizë teknike të pavarur, jo nga ekspertë të Shërbimit Zjarrfikës, por duke përzgjedhur dy ekspertë të sistemit elektrik, për të përcaktuar jo vetëm shkakun e zjarrit, por edhe cilësinë e investimit, nëse është respektuar projekti teknik, si janë kryer punimet, si është bërë kolaudimi, dhe nëse ka një sistem emergjence për shuarjen e brendshme të zjarrit. Ekspertiza e parë e bërë nga shërbimi Zjarrfikës e cilëson një ngjarje aksidentale. Ndërsa riinspektimi nga dy ekspertët e caktuar nga Prokuroria do hedhë dritë finale nëse kemi elementë të veprës penale. Në hetimet e nisura jo vetëm janë marrë në pyetje investitori, zbatuesit, po ashtu është sekuestruar edhe dokumentacioni i plotë i investimit. Prokuroria dyshon te një cilësi e dobët e punime dhe mos zbatim të plotë të projektit. Momentalisht sipas ekspertizës së parë të Shërbimit Zjarrfikës nuk ka elementë të veprës penale”.



