Për deputetin e LSI-së në Vlorë, Flamur Çelaj, partia e tij është kolona qendrore që po mban qeverinë. I ftuar në një emision mëngjesi, ai tha se LSI e ka shprehur qartë se nuk hyn në zgjedhje pa opozitën.
“Unë po artikuloj qëndrimin tonë politik. Midis demokracisë dhe autoritarizmit ne zgjedhim demokracinë. Midis të djathtës dhe të majtës natyrisht ne zgjedhim të majtëm. Pas mbledhjes së kryesisë vendimi është shumë i thjeshtë: Ne në zgjedhje pa opozitën nuk hyjmë. Nëse opozita dhe lidershipi i PS ulen në tavolinë dhe sheshojnë problematikat mes tyre, si hap i parë dhe garantohet hyrje në zgjedhje të lira të ndershme dhe të gjithëpranuara, atëherë edhe elektorati i LSI nuk ka problem të bëjë një koalicion të majtë. Por nëse nuk kemi këto hapa të para, si mund të diskutojmë për koalicionin. Pra nëse nuk zgjidhet çështja mes palëve, ne jemi në qendër, jemi kolona po mbajmë qeverinë shqiptare dhe shtetin shqiptar, stabilitetin e vendit. Kjo besoj është shumë e dukshme, ndërkohë që ne kemi prirje të majta si forcë politike, por nuk mund të flasim sot për koalicione”, tha ai.



