Eksperti kriminalistik, Fatjon Softa i ftuar në emisionin “Herët në MCN” foli mbi sulmet kibernetike iraniane ndaj AKSHI-t. Sipas Softës sulmet kibernetike janë vetëm fillimi dhe se shteti shqiptar duhet të përgatitet edhe për situata më të ndërlikuara.
Më tej Softa u shpreh se anulimi i samitit të MEK në Shqipëri erdhi pasi qeveria mori informacione se Irani po përgatitej për një akt terrorist. Sipas Softës një nga informacionet që qeveria shqiptare mori ishte se në burgjet shqiptare po përgatiteshin akte terroriste nga Irani dhe vende të tjera të cilat janë paraqitur si organizata bamirësie për të organizuar terrenin për sulme.
“Mbrojtje do të thotë siguri, çfarë sigurie ka nëse do sulmohet sistemi bankar siç u sulmua TIMS? Shteti duhet të bëjë radiografi të situatave që kemi në mënyrë që të parandalohen të tjerat.
Ky sulm që po ndodh është vetëm fillimi dhe nuk është fundi i tyre. Duhet të përgatitemi për situata edhe më të ndërlikuara. Do ketë situata edhe më të këqija se kjo. Kemi marrëdhënie të tensionuara me Iranin dhe jo vetëm me të, por edhe me Rusinë.
Për shembull, çfarë interesi kanë iranianët? Interesi i tyre është një opozitë me mbi 3000 muxhahedinë që ndodhen këtu. Ata ishin përballë një akti terrorist, po përgatiteshin akte terroriste ndaj kësaj opozite, ishte një organizim që u anulua deri në një moment të dytë.
Samiti u spostua sepse nga informacionet që u dhanë u tha se në burgjet shqiptare po përgatiteshin akte terroriste nga Irani dhe vende të tjera të cilat ishin paraqitur si organizata bamirëse në mënyrë që të përgatisnin terrenin dhe t’i përdornin të nesërmen jo vetëm iranianët. Këto organizata kanë pasur dhe rekrutime të njerëzve që t’i kenë kontingjent të mundshëm për një moment të dytë.”, u shpreh Softa.



