Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste zgjati aq sa i duhej kryeministrit Edi Rama për të shpjeguar arsyet e ndryshimeve në qeveri, vlerësimin për të larguarit dhe emrat e rinj që do të hyjnë në kabinetin e tij në fundin e mandatit të parë.
Ai i bëri vetë publike emrat e ministrave të rinj, duke paralajmëruar se ka akoma për të thënë sonte në mbrëmje.
“Fatmir Xhafaj do të jetë ministër i Brendshëm, Olta Xhaçka do të jetë ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ogerta Manastirliu do të jetë ministre e Shëndetësisë dhe Eduart Shalsi do të jetë ministër i Pushtetit Vendor. Për të tjerat, sot në orën 21:00, në Top Story”, tha Rama.
Edi Rama do të jetë në emisonin e Sokol Ballës në orën 21:00, në një nga momentet më delikate të qeverisjes së tij. Por "Top Channel" mësoi se në mbledhjen e kryesisë është folur edhe për të paktën dy ministra të tjerë që kanë qenë në listën e kryeministrit Edi Rama për t'u larguar. Burime nga mbledhja thane pse dy ministrat janë Ditmir Bushati dhe Lindita Nikolla. Por, Edi Rama ka shpjeguar arsyet përse këta të dy nuk u zëvendësuan. Ministri i Jashtëm nuk u largua për shkak të Samitit të NATO-s në maj dhe Samitit të Triestes së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa ministrja e Arsimit për shkak të procesit të Maturës Shtetërore, i cili sapo ka nisur dhe largimi i ministres së Arsimit mund të sillte komplikacione. Megjithatë, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar dy ministrave, Bushati dhe Nikolla, të dy drejtues qarqesh, njëri në Shkodër dhe tjetra në Lezhë, të punojnë me të njëjtin kapacitet në zonat e tyre, si 4 ministrat e larguar.



