Kanë qenë jo të pakta rastet kur kompani të ndryshme në rrjete sociale kërkojnë të dhënat personale të qytetarëve që kanë kontaktuar, për të qenë përfaqësues të kompanive të tyre në vendin ku jetojnë.
Për këtë autoritetet policore në vend, u kërkojnë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në rrjetet sociale, pasi kohët e fundit është evidentuar rritje e rasteve të shantazheve në rrjet.
“Përdoruesit anonimë, të cilët nga rastet e deritanishme rezultojnë shtetas të huaj, krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht, që të lënë të kuptosh se janë emra qytetarësh shqiptarë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale, në mënyrë që të bëhen të besueshëm, nisin të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private, e në të njëjtën kohë nisin të targetojnë viktimat e tyre.
Komunikimi ndërpritet, kur autorët e rremë marrin të dhënat personale dhe mbi bazën e këtyre të dhënave, i shantazhojnë me bërjen publike të të dhënave personale te të tjerët nëpërmjet rrjeteve sociale, nëse nuk i depozitojnë shuma parash në llogari bankare.
Për këtë arsye, policia u kërkon qytetarëve të mos u japin të panjohurve të dhënat e tyre personale në rrjetet sociale.



