Në nisje të sezonit turistik, Vlora është në prag të një emergjence mjedisore. Djegia e mbetjeve në vendgrumbullimin e lagjes “24 maji” është kthyer në problem për banorët. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, në një prononcim me Skype, thotë se zjarri është shuar, por situata do të mbetet e njëjtë deri në përfundim të projektit të landfillit të Sherishtës. "Mbetjet urbane grumbullohen te vendgrumbullimi që deri para pak minutash digjej. Zjarri është shuar totalisht. Manaxhimi i mbetjeve në Vlorë dhe grumbullimi i tyre bëhet në këtë vendgrumbullim që ju sapo patë se po digjej. Mbetjet do të vazhdojnë të jenë aty deri në përfundim të projektit. Kjo situatë është deri në përfundim të projektit të landfillit të Sherishtës. Kjo situatë është mbyllur plotësisht dhe nuk ka pasur asnjë fije zjarri. Vendgrumbullimit i është vënë zjarri disa herë. Zjarri masiv i ditës së djeshme duket qartë se është shkaktuar nga dora e njeriut. Ne kemi nisur një punë që nuk ka të bëjë me landfillin, për menaxhimin dhe mbajtjen pastër të të gjithë vijës bregdetare", tha ai.



