
Australia po merr në konsideratë njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit dhe zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi.
Nëse kjo ndodh, do të shkonte paralel me ndryshimin e kohëve të fundit të politikës amerikane, e cila shkaktoi kritika në nivel ndërkombëtar.
Kryeministri australian Scott Morrison, thotë se Australia mbetet e angazhuar për një zgjidhje dy shtetesh për konfliktin izraelito-palestinez.
Rivalët e tij thonë se komentet e Morrison janë thjesht një "mashtrim" për të përfituar vota ndërkohë që vendi ndodhet para zgjedhjeve.
Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të diskutueshme midis Izraelit dhe palestinezëve.
Presidenti i SHBA Donald Trump shkaktoi një debat të madh botëror vitin e kaluar, kur ai ndryshoi dekada të politikës së jashtme amerikane duke njohur qytetin e lashtë të Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit. Ambasada e SHBA u zhvendos nga Tel Avivi në Jeruzalem në maj.
Kryeministri izraelit tha se në lidhje me këtë vendim do të konsultohet paraprakisht me kabinetin e tij dhe me vendet aleate.
"Jemi të përkushtuar për një zgjidhje mes dy shteteve, por sinqerisht, nuk ka ecur mirë deri tani - nuk është bërë shumë përparim", u tha ai gazetarëve të martën.
Kryeministri tha se një skenar i mundshëm do të ishte njohja e Autoritetit Palestinez me kryeqytet Jeruzalemin Lindor dhe kryeqytetin izraelit në Jeruzalemin Perëndimor.
"Australia duhet të jetë e hapur për këtë", tha Morrison.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e ka miratuar këtë ide me një postim në Tuiter.



