
Departamenti i Arsimit i Qytetit të Nju Jorkut ka përfshirë zyrtarisht gjuhën shqipe si një nga gjuhët e komunikimit në shkollat publike.
Ky vendim përfaqëson një arritje historike për komunitetin shqiptar në SHBA dhe një njohje konkrete të kontributit të tij në shoqërinë amerikane.
Bedrana Duka, Drejtoreshë e Programeve pranë organizatës “Rrënjët Shqiptare”, në një komunikim për emisionin “Zgjohu me MCN”, e cilëson këtë si një moment krenarie dhe një hap përpara drejt përfshirjes dhe respektimit të diversitetit gjuhësor në sistemin arsimor të qytetit.
Ky është një hap i madh për komunitetin shqiptar në SHBA.
Përfshirja e gjuhës shqipe heq një nga barrierat më të mëdha mes prindërve dhe shkollës, gjuhën.
Me këtë vendim, shqipja bëhet një nga vetëm 13 gjuhët e përfshira zyrtarisht në komunikimet shkollore, nga mbi 180 gjuhë që fliten në qytetin e Nju Jorkut.
Kjo nismë u jep prindërve shqiptarë akses veçmas në dokumentet zyrtare, njoftimet dhe informacionet e shkollës në gjuhën e tyre amtare.
Tashmë, çdo dokument apo informacion që shkolla u dërgon prindërve do të jetë i përkthyer edhe në shqip, duke mundësuar një përfshirje më të plotë të tyre në procesin arsimor të fëmijëve.
Për vite me radhë, shumë prindër shqiptarë janë përballur me vështirësi për të ndjekur e kuptuar jetën shkollore të fëmijëve të tyre, për shkak të barrierës gjuhësore. Tani, me informacionin e disponueshëm në shqip, ata ndihen më të përfaqësuar, më të sigurt dhe më të aftë për të marrë pjesë aktive në edukimin e fëmijëve.
Ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht edhe te vetë nxënësit shqiptarë, duke i bërë ata të ndihen më të përfshirë emocionalisht dhe më të motivuar për sukses në shkollë.



