Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të akuzuar për përfshirje dhe bashkëpunim me grupe të strukturuara kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Të pandehurit janë Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj. Sipas SPAK, Erdit Hazizaj akuzohet për “trafikim të lëndëve narkotike”, “grup të strukturuar kriminal”, “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale” dhe “shpërdorim detyre”.
Ai dyshohet se, gjatë kohës kur ushtronte detyrën si specialist në Sektorin e Hetimit në Mbulim në Forcën Operacionale, ka ndihmuar anëtarët e grupit kriminal me informacione dhe këshilla për vijimin e aktivitetit të kundraligjshëm.
Ndërkohë, Shkëlzen Ruska akuzohet për “kultivim të bimëve narkotike”, “grup të strukturuar kriminal”, “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve, ai ka favorizuar një grup kriminal që vepronte në zonën Tepelenë-Gjirokastër, duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e tyre kriminal.
Ervis Alisinaj akuzohet vetëm për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2019-2021 në zonën e Sarandës dhe Tepelenë-Gjirokastër kanë operuar grupe kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e drogës drejt Greqisë. Një prej rasteve të dokumentuara nga SPAK është sekuestrimi në pikën kufitare të Qafë Botës i mbi 1 ton kanabis, me vlerë rreth 1.7 milion euro.
Sipas SPAK, veprimet dhe mosveprimet e ish-efektivëve kanë cenuar rëndë funksionimin normal të Policisë së Shtetit dhe besimin e publikut tek institucionet ligjzbatuese. SPAK thekson se çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.



