Kreu i Unionit të Transporteve Dashnor Mema duke folur MCN Live e konsideroi një frymëmarrje afatshkurtër për sektorin paketën e rezistencës të qeverisë Rama.
Mema tha se flota e autobusëve është rritur me 20 për qind në raport me ditët e fundit. Sidoqoftë ai kërkoi zgjidhje afatgjata për sektorin pas tre muajve.
Kishim kohë që prisnim një ndërhyrje të jashtëzakonshme. Së fundmi ishte goditje fatale rritja e çmimit të naftës. E vetmja formë që kërkuam ishte rritja e çmimit, pas kësaj doli paketa e rezistencës e mbrojtjes, 500 mln lekë për transportin urban dhe interurban. Është një lajm i mirë, por shpresojmë që të mjaftojë. Ende s’është marrë ndonjë subvencion, por kjo na ka motivuar. Transporti ka filluar ta shtojë flotën. Secili operator ka shtuar nga dy dhe tre autobusa nga ajo që ishin. Shpresoj që të kalojë pagesa që ne të ofrojmë një shërbim më të mirë. Niveli i subvencionit ka qenë 100 lekë për litër, e mjaftueshme për të kaluar këtë krizë. Që operimi të jetë në nivelin e duhur duhet të përgatitet terreni financiar pas 3 muajve. Duhet një politikë dhe menaxhim më i mirë. Linjat më të mëdha kanë rritje të numrit të mjeteve. Linjat e vogla e kanë të pamundur që të gjejnë edhe karburant. Flota është rritur me 20 për qind për secilin operator. Paketa i jep një frymëmarrje sektorit, frymëmarrje afatshkurtër për tre muaj.



