6 premtimet që duhet t’ia bësh vetes që tani për këtë vit, sipas psikologëve

6 premtimet që duhet t’ia bësh vetes që tani për këtë vit, sipas psikologëve

Pas ngjarjeve të pakëndshme që përjetuam gjatë vitit të kaluar dhe stresin gjatë kohës së izolimit apo për ndryshimet e papritura në jetën tonë, puna, shkolla, etj, këtë vit duhet të bëjmë disa ndryshime pozitive. Psikologia Lediona Braho, bazuar tek studimet e bëra rendit 6 mënyra që mbështeten nga shkenca si të sjellim ndryshime pozitive në mendjen dhe jetën tonë gjatë 2021-shit.

1.Silluni mirë dhe ndihmoni të tjerët!

Mirësjellja, altruizmi dhe empatia kanëndikim pozitiv në trurin tonë. Sipas një studimi, dhënia e parave për bamirësi e aktivizon sistemin e shpërblimit në tru në të njëjtën mënyrë që e aktivizon edhe marrja e parave. Kjo gjë vlen edhe për situatat kur ndihmojmë të tjerët që kanë nevojë. Edhe vullnetarizmi mund ta përmirësojë kuptimin tonë për jetën, të na shtojë lumturinë, shëndetin dhe mirëqenien. Të rriturit që bëjnë punë vullnetare përjetojnë kënaqësi më të madhe në jetë dhe nivele me të ulëta të ankthit dhe depresionit.

Pra, duke lumturuar të tjerët, do të lumturojmë edhe veten tonë!

2.Ushtrohuni!

Ushtrimet fizike sjellin përfitime në shëndetin fizik dhe atë mendor: përmirësojnë shëndetin kardiovaskular dhe ulin simptomat e depresionit. Te fëmijët, ushtrimet shoqërohen me një performancë më të mirë në shkollë, ndërsa tek të rriturit, me përmirësim të të menduarit dhe performancës në punë. Tek të moshuarit, ushtrimet ruajnë performancën mendore dhe shtojnë reziliencën përballë çrregullimeve neurodegjenerative, si demenca. 

Studimet kanë treguar se personat që ushtrohen rregullisht, kanë volum më të madh të trurit, që shoqërohet me një performancë më të mirë mendore në moshë më të madhe. Njerëzit që ushtrohen jetojnë më gjatë. Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për të rigjallëruar trurin tuaj është të dilni jashtë, të merrni pak ajër të pastër, të bëni një shëtitje të shpejtë, të vraponi ose të ngisni biçikletën.

3.Ushqehuni mirë!

Ushqimi mund të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin dhe shëndetin e trurit. Ai e pajis trurin me blloqet kryesore ndërtuese, me të cilat truri krijon dhe ruan lidhjet, çka është kritike për përmirësimin e të menduarit dhe performancës akademike. Të dhënat e mëparshme kanë treguar se mungesa afatgjatë e përbërësve ushqimorë mund të çojë në dëmtime strukturore dhe funksionale në tru, ndërsa një dietë cilësore shoqërohet me volum më të madh të trurit.

Një studim me 20 mijë pjesëmarrës në Britani tregoi se njerëzit që konsumonin drithëra kishin një vëlllim më të madh të materies gri në tru (një përbërës kryesor në sistemin nervor qendror), që lidhet me përmirësimin e të menduarit. Ndërsa, dietat me shumë sheqer, yndyrna të ngopura ose shumë kalori mund ta dëmtojnë funksionimin e trurit dhe mund ta ulin aftësinë e trurit për të formuar lidhje të reja nervore, duke ndikon negativisht të menduarit.

Pavarësisht moshës suaj, përpiquni të konsumoni një dietë të mirëbalancuar, e cila përfshin fruta, perime dhe drithëra.

4.Ruani lidhjet shoqërore me të tjerët!

Vetmia dhe izolimi social është i përhapur në të gjitha moshat, gjinitë dhe kulturat – duke u shtuar gjatë pandemisë COVID-19. Të dhënat shkencore kanë treguar se izolimi e dëmton shëndetin tonë fizik dhe mendor. Një studim i fundit tregoi se izolimi kishte efekte negative në gjendjen emocionale, por ky efekt ishte më i ulët tek ata persona që i ruajtën lidhjet me të tjerët.  Zhvillimi i lidhjeve sociale dhe dalja nga vetmia është shoqëruar me vdekshmëri më të ulët dhe më pak sëmundje. Vetmia dhe izolimi social njihen si çështje kritike të shëndetit publik, të cilat kërkojnë ndërhyrje efektive. Ndërsa, ndërveprimi shoqëror lidhet me ndjenja pozitive dhe aktivizim më të lartë të sistemit të shpërblimit në tru.

Qëndroni të lidhur me familjarët dhe miqtë tuaj, por edhe zgjerojini horizontet tuaja duke formuar lidhje të reja shoqërore.

5.Mësoni diçka të re!

Truri ndryshon gjatë periudhave kritike të zhvillimit, por edhe gjatë gjithë jetës. Eksperiencat e reja, si mësimi i aftësive të ndryshme, mund ta modifikojnë funksionin e trurit, por edhe strukturën e tij. Për shembull, është parë se xhonglimi rrit sasinë e materies së bardhë të trurit, duke përmirësuar performancën pamore-lëvizore. Muzikantët kanë më shumë materie gri në pjesët e trurit që përpunojnë informacione zanore. Edhe mësimi i një gjuhe të re mund ta ndryshojë strukturën e trurit. Rishikimi i shumë studimeve ka sugjeruar se aktivitetet e kohës së lirë që e stimulojnë trurin – nga shahu te lojërat mendore – shtojnë reziliencën dhe mbrojnë nga rënia e funksioneve mendore në moshë të madhe.

6.Flini mirë dhe mjaftueshëm!

Gjumi është një përbërës thelbësor i jetës sonë, edhe pse shumë njerëz nuk e kuptojnë mirë lidhjen mes shëndetit të mirë të trurit dhe procesit të gjumit. Gjatë gjumit, truri riorganizon dhe rikarikon veten, si dhe eliminon “mbetjet toksike” të panevojshme – ky proces ndihmon në ruajtjen e funksionimit normal të trurit.

Gjumi është shumë i rëndësishëm për transformimin e përvojave tona në kujtime afatgjata, për ruajtjen e funksionimit mendor dhe emocional dhe për pakësimin e lodhjes mendore. Studimet e deprivimit të gjumit kanë treguar dëmtime në kujtesë dhe vëmendje, si dhe ndryshime në sistemin e shërblimit në tru, që shpesh ndërpret funksionimin emocional. Gjumi ka një ndikim rregullator edhe në sistemin imunitar. Nëse ju bëni një gjumë cilësor dhe të mjaftueshëm, do të shihni se do të keni më shumë energji, do të ndiheni më mirë, do të mendoni dhe do të krijoni më mirë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy