Një vjedhje me maska ende pa autor ka ndodhur në orët e vona të së dielës në një lagje të qytetit të Elbasanit. Policia bën me dije se “në orët e vona të mbrëmjes, në lagjen ‘Emin Matraxhiu’, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e shtetasit Sh.E.,, 48 vjeç, banues në Elbasan.
Personat e paidentifikuar dyshohen të kenë vjedhur një sasi eurosh dhe lekësh”.
Burime nga Policia bëjnë të ditur se në momentin e grabitjes nuk ka pasur njeri në banesë.
Pronari i shtëpisë, pasi ka vënë re se dera ishte e hapur, ka lajmëruar menjëherë policinë për atë që kishte ndodhur.
Policia në dhomën e gjumit të banesës ka gjetur dhe sekuestruar dy kapuça dhe një levë hekuri në cilësinë e provës materiale. Ky është një nga rastet e çuditshme të grabitjeve, pasi autorët zakonisht largohen bashkë me mjetet e përdorura në grabitje.
Pritet që të jenë pikërisht kapuçat dhe leva e hekurit që të shërbejnë për policinë në identifikimin e autorëve me anë të shenjave të gishtërinjve apo ndonjë fije floku. Do të jenë analizat dhe ekzaminimet e hollësishme ato që japin rezultat ose jo në zbulimin e autorëve.
Pronari i banesës bashkë me familjen kishin dalë për të parë ndeshjen finale të “Champions League” mes Juventusit dhe Real Madrid dhe dyshohet se autorët i kanë përgjuar, duke shfrytëzuar këtë rast për t’i vjedhur paratë që kishte në banesë. Por nga burime mësohet se shuma e parave ka qenë e vogël, edhe pse policia ende nuk e ka zbardhur shumën duke pohuar se është ende në hetim. Deri tani në ambientet e Komisariatit të Policisë në Elbasan mbi këtë ngjarje janë shoqëruar dhe marrë në pyetje më shumë se 10 persona të dyshuar, por mësohet se autorët e dyshuar ende nuk janë identifikuar.



