
Kryeministri Edi Rama fton sërish opozitën në bisedime. Në fjalën e tij në seancën e sotme, Rama tha se protesta e PD-së dhe LSI-së nuk bën asgjë tjetër veçese i prish imazhin vendit.
“Protesta e tyre nuk i bën asgjë qeverisë. Nëse ka një zonë që nuk do të preket nga llumi i tyre, është kjo zonë. Por preket Shqipëria, nga ato pamje që rikthejnë fantazmën e një Shqipërie në kaos, që nuk ofron siguri, stabilitet dhe që largon turizmin. Asgjë nuk zgjidhet me protestë, por i biem vetes. Këta kërkojnë pushtet në tavolinë, kërkojnë atë që ne nuk ua japim dot. Duke krijuar një precedent të papranueshëm nga të gjithë duke djegur mandatet se nuk mundën të fitonin dhe nuk mund të fitojnë zgjedhjet”, tha ai.
Rama tha se me djegien e mandateve, opozita ka dëmtuar vetëm veten.
“Ne vazhdojmë me edhe më shumë vëmendje dhe përkushtim në punën tonë. Kemi plot gjëra për të bërë, për të rregulluar. Në këtë Parlament është folur për të gjithë gjërat e zëza që ekzistojnë, dhe nuk është bërë një diskutim për taksat, për biznesin. Ata nuk kanë asnjë shans asnjëherë të bëhen shumicë, sidomos sot kur ne jemi më të unifikuar. Kjo është një e keqe e madhe që ata i kanë bërë vetes, por ndoshta për një të mirë që i kanë bërë vendit, që mezi kanë pritur të largohen”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se pas strategjisë së opozitës qëndron pamundësia për të ardhur në pushtet me votën e popullit.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim, dora jonë është e shtrirë, jemi gati të diskutojmë diçka, por nuk jemi asnjëherë gati të diskutojmë pushtetin në tavolinë. Demokracinë, Parlamentin dhe mandatin e marrë nga qytetarët ne nuk e negociojmë me askënd. Ata e dinë që nuk kanë asnjë shans, e dinë të gjithë që nuk kanë asnjë shans të marrin një bashki të vetme që kemi ne, dhe kanë shumë pak shanse të mbajnë gjysmën e bashkive që kanë. Synimi ynë është t’i marrim të gjitha bashkitë e vendit”, tha ai.



