
Presidenti amerikan Joe Biden tha sot se Shtetet e Bashkuara janë “janë pushtuar nga armët luftarake” dhe theksoi se është i vendosur të ndalojë disa lloje të armëve të zjarrit që përdoren shpesh në të shtënat masive që kanë shkaktuar katër ose më shumë viktima.
“Unë jam i vendosur t’i ndaloj përsëri këto armë. Unë nuk do të ndalem derisa ta bëjmë këtë”, tha Biden në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë.
Më 25 qershor presidenti amerikan shndërroi në ligj një dokument dypartiak për armët, çka përbën reformën më të madhe federale në tri dekadat e fundit, disa ditë pasi Gjykata Supreme zgjeroi të drejtat për armët.
Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë.
Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane.
Kontrolli i armëve është kthyer tashmë në çështje që krijon ndasi në Shtetet e Bashkuara, pasi shumë tentime për të kontrolluar shitjen e tyre, kanë dështuar njëra pas tjetrës.
Legjislacioni i ri përfshin provizione për t’iu ndihmuar shteteve që të mbajnë armët larg duarve të atyre që konsiderohen të rrezikshëm si dhe të bllokojë shitjen e armëve për ata që janë dënuar për abuzime me partnerë të pamartuar.
Legjislacioni nuk ndalon shitjet e pushkëve apo karikatorëve me kapacitet të lartë.
Për herë të parë, me ligj parashihet që të bëhen kontrolle për të kaluarën e një të mituri para se të blihet një armë, si dhe ky dokument shënjestron blerësit që kanë qenë të dënuar në të kaluarën për dhunë familjare.



