Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ka vendosur pezullimin e përkohshëm nga detyra të dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.
Vendimi është firmosur më 20 maj 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e procedurës për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas dokumentit zyrtar, pezullimi lidhet me faktin se dekania ka shprehur interes për të kandiduar si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Me vendim nr. 110, datë 20.05.2026, Rektorati i Universiteti i Tiranës ka vendosur pezullimin e përkohshëm nga detyra të Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Dorina Hoxha, deri në përfundim të procedurës së zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Gjatë kësaj periudhe, me të njëjtin vendim, Prof. Dr. Skënder Kaçupi është caktuar të kryejë të gjitha funksionet e Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe i është përcjellë strukturave përkatëse për zbatim.
Rektori argumenton se masa synon të garantojë paanshmërinë institucionale dhe të shmangë çdo konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes.
Ndërkohë, drejtimi i Fakultetit të Drejtësisë i është deleguar përkohësisht Skënder Kaçupi, i cili do të ushtrojë kompetencat e dekanit deri në përfundimin e procedurës.




