
Kreu i PD-së Sali Berisha ishte sot i pranishëm në familjen Avdia, për t’u shprehur ngushëllimet për humbjen e vajzës 7-vjeçare Jonada, e cila u godit nga një skaf në plazhin e Potamit, ngjarje që tronditi opinionin publik. Berisha e konsideron autorin e ngjarjes njeri të qeverisë dhe dëshmi të një shteti të mbushur me xhelatë. Ai e konsideroi të papërgjegjshëm qëndrimin e mbajtur nga kryeministri Rama, ndërsa konfirmoi pjesëmarrjen në protestën qytetare që do të mbahet sot në mbrëmje.
Ngushëllimet më të ndjera të miat, familjes, të PD. Erdha si qytetar për familjen e Jonadës, e cila humbi jetën në një krim horror. Ngjarje që ka tronditur thellë cdo shqiptar, cdo njeri. Duhet të ishe vetëm një individ si ai që e kreu, se kurrë s’mund të ndodhte një akt i tillë. Një akt i tillë është jashtë përfytyrimit po të kryhej nga një qytetar i thjeshtë. Ky akt u krye nga një njeri i qeverisë. Me një mjet monstruoz krimi, siç ishte skafi me 600 kuaj fuqi motorë. Ky akt u krye në distancën më të afërt me rërën, 3-4 metra, në prani të qindra fëmijëve, pushuesve të tjerë. Në këtë aspekt komisari s’është asgjë tjetër, veçse një xhelat. Krimi është një dëshmi e një shteti të mbushur me të tillë. Ju i keni vet rastet, s’është rasti për t’i numëruar, vdekjet dhe vrasjet brenda stacioneve të policisë. Nuk është rastësi, ky xhelaz skafist s’bëri gjë tjetër veçse imitoi ministrin e tij me skaf. Edi Rama flet në mënyrën më të përçart. Vampirë mediatikë dhe politikë!
E thashë dje, e them edhe sot, nuk ka njeri që s’tronditet deri në palcë përballë këtij krimi horror. Vampirë është xhelati që i mori jetën vajzës. Kryeministri në vend që të shkarkoi me urgjencë ministrin e familjes Çuçi, kryeministri u vërsulet gazetarëve dhe politikanëve dhe i krahason ata me vampirë politikë. Tregon se mban anën e vampirëve të vërtetë. Shfrytëzoj rastin t’i shpreh ngushëllimet më të ndjera kësaj familje fisnike dhe të dënoj me forcën më të madhe këtë akt barbar. Të dënoj qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës, ministrave të tij, që shohin vampirë te ata që ngrenë zërin për të dënuar një krim horror, i cili do trondiste çdo vend në botë. Unë dhe PD do jemi në protestë si qytetarë”.



