
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se pritet që në Shqipëri në muajt në vijim të ketë një rritje të kredive të këqija.
Sipas Sejkos, në 2020 nuk u rritën këto lloj kredish për shkak të masave të marra dhe afateve, por me përfundimin e këtyre të fundit në 2021 ato do të rriten.
Ai thotë nga ana tjetër se edhe në skenarin më të keq të rritjes së kredive të këqija, sistemi bankar është i shëndetëshëm, ndërkohë që momentalisht ato janë në nivel të ulët.
Sejko sqaron se tashmë ekonomia shqiptare do të varret nga masat shtrënguese dhe zgjatja e pandemisë.
“Numri i kredive të këqija si pasojë e pandemisë janë parashikuar se do vinë në rritje, por për fat të mirë kreditë e këqija nuk janë rritur në vitin e kaluar dhe kjo është një tregues pozitivë.
Kredia u rrit në vlerën 7.7%, por natyrisht në këtë vit mund të ketë një përkeqësim, megjithëse ne kemi marrë masa për ristrukturimin e kredive.
Natyrisht që kjo ndikon të mos kemi përkeqësim, por gjithsesi kreditë me probleme do të rriten dhe kjo është në varësi të situatës së pandemisë. Në këtë kontekst nuk mund të jap një shifër konktrete, por presin rritje.
Skenarët e ndryshëm që kemi marë tregojnë se sistemi bankar është i qëndrueshëm për të përballuar kreditë e këqija. Për fat jemi në nivel të ulët dhe shpresoj të kemi një rritje të ulët”, u shpreh Sejko.



