
Jemi mësuar të shohim figura mashkullore në ushtri, por femërore më rrallë. Jemi mësuar që këto figura të tranformohen në lodra për fëmijë. Por jo ushtare femra. Koha është tani.
Një letër e një vajze 6-vjeçare ka vënë në lëvizje prodhuesit dhe dizenjuesit e kompanisë së lodrave në Pensilvani SHBA, BMC Toys. Vogëlushja Vivian Lord i ka shkruar kompanisë: “Ju lutem a mund t’i bëni vajzat e ushtrisë të duken si gra? Unë dhe miqtë e mi do të luanim me to çdo ditë. Mamaja e shoqes sime është ushtare gjithashtu”.
Pronari i kompanisë, Jeff Imel, kishte menduar prej vitesh ta realizonte një gjë të tillë, por pas kërkesës së 6-vjeçares mori vendimin përfundimtar. Ai shprehet se vitin e ardhshëm, ushtaret plastike do të jenë në treg. Më para, kërkesa të ngjashme, ai ka marrë edhe nga femra veteran të ushtrisë dhe blerës të tjerë.



