Nikolin Marku (Lekstakaj) u ekzekutua të martën në Balldre të Lezhës, ku pista kryesore e krimit është gjakmarrja. Kryetari i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve Gjin Marku tha në MCN Live se pas 5 viktimash mes dy fiseve Lekstakaj-Nikulaj, nuk mund të thuhet se nuk kemi të bëjmë me gjakmarrje. Ai vuri në dukje se ligji i Parlamentit që parashikon dënim maksimal për vrasjet për gjakmarrje, i ka sofistikuar këto të fundit, ku shpesh bëhen përmes vrasësve me pagesë. “Duke u nisur edhe nga opinionet, sepse komuniteti aty mund të dine më shumë nga ç’tregon ekspertiza, por për arsye etike s’duan të përfshihen. Ne dimë, që dy fiset kanë probleme shumë të rënda, të thella më njëra-tjetrën. Kur gjërat përplasen që nga momente që quhen banale, duke çuar në agresione të tilla, siç ishte rasti i burimit të pare të ngjarjes në 1996, nuk mundet që dy fiset të mos i shtrijnë dorën Komitetit, si të veprojmë. Është e pamundur që sot pas 5 viktimash njerëzit të mos thonë që kemi të bëjmë me gjakmarrje. Unë them se kemi të bëjmë me gjakmarrje. Komuniteti atje ka përgjegjësinë e vet. Ne presim që secila palë të trokasë në derën tone, atëherë kemi detyrimin moral…Me të dyja palët është e vështirë të komunikosh. Në Mirditë kam tentuar të flasë me dy palët që kishin probleme. Prapë se prapë asnjëra nuk prononcohet. Të gjitha vrasjet për gjakmarrje, hakmarrje, janë të sofistikuara për shkak të ligjit në Parlament. Deputetët janë krejtësisht të papërgjegjshëm dhe nuk e dinë fare se çfarë ndodh në shoqëri. Do të thotë se ishte ligji i Parlamentit me dënimin maksimal për vrasjet për gjakmarrje, kanë filluar kanë sofistikuar vrasjen për gjakmarrje me vrasje me pagesë. E fsheh ai, vrasje për gjakmarrje quhet kur deklarohet. Janë 10 mijë të vrarë brenda Shqipërisë për arsye hakmarrje”, tha Marku.



