Izraeli shënon sot përvjetorin e parë të sulmit të 7 tetorit nga terroristët e Hamasit, më vdekjeprurësi në historinë e vendit, i cili tronditi vendin dhe ndezi luftën në Gaza.
Një seri memorialesh dhe aktivitetesh janë planifikuar në të gjithë vendin për të përkujtuar sulmin, ndërsa ushtria tha se po godiste objektivat e Hamasit në Rripin e Gazës.
Presidenti Isaac Herzog e filloi ditën me një moment heshtjeje në orën 06:29 të mëngjesit në momentin kur filloi sulmi në Kibbutz Reim, vendi i festivalit të muzikës Nova i sulmuar nga qindra terroristë, ku u vranë të paktën 370 persona.
Familjet e të vrarëve morën pjesë në memorial, shumë prej tyre duke qarë, ndërsa Herzog takoi të pranishmit.
Ndërkohë qindra persona janë mbledhur me familjet e pengjeve jashtë rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem.



