
Mbreti Charles do të kurorëzohet më 6 maj dhe Këshilli i Qarkut Staffordshire ka vendosur të nderojë me një dhuratë të gjithë fëmijët e lindur atë ditë.
Zyra e gjendjes civile e autoritetit kryesor lokal për qarkun britanik që ndodhet në West Midlands do t’u dhurojë një filxhan të gjithë foshnjave që do të lindin më 6 maj.
Dhurata është një detaj përkujtimor, i ngjashëm me ato të shpërndara për kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeth II 70 vjet më parë më 2 qershor 1953.
Familjet do të mund ta marrin dhuratën duke kontaktuar këshillin direkt pas kurorëzimit.
Këshilltari Simon Tagg tha se lindja e çdo fëmije në qark duhet të jetë shkak për festë.
Kurorëzimi i mbretit Charles III do të jetë një ngjarje historike dhe për fëmijët e lindur në atë ditë, do të jetë një moment edhe më i paharrueshëm, si dhe për prindërit e tyre.
Njerëzit në të gjithë Staffordshire do të shikojnë kurorëzimin në televizion, do të mblidhen me fqinjët dhe miqtë dhe do të marrin pjesë në ngjarje të veçanta për të shënuar këtë rast.
Do të jetë një fundjavë vërtetë e paharrueshme dhe një mundësi e shkëlqyer për komunitetet që të bashkohen dhe të festojnë një moment historik.
Ceremonia zyrtare e kurorëzimit do të mbahet më 6 maj në Westminster Abbey, në zemër të Londrës, ku ishte kurorëzuar dhe mbretëresha Elizabeth në vitin 1953.
Të gjithë anëtarët e familjes mbretërore angleze do të jenë të pranishëm në ngjarje, kryesisht Princi dhe Princesha e Uellsit, William dhe Kate Middleton, së bashku me fëmijët e tyre George, Charlotte dhe Louis, dhe djali i dytë i Charles dhe Lady Diana Spencer, Harry, i cili do të marrë pjesë në kurorëzimin e babait të tij si Mbret pa gruan e tij Meghan, e cila do të qëndrojë me pasardhësit e tyre në Kaliforni.



