Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, e cilëson lapsus të mediave mënyrën sesi u interpretua vendimi i qeverisë së Kosovës lidhur me detyrimin për të paraqitur një test të koronavirusit në pikat e kalimit kufitar. Në një intervistë në studion e lajmeve të TvT, Minxhozi u shpreh se ka pasur një paqartësi lidhur me këtë vendim, i cili është paraprirë nga një takim i dy ministrave të Shëndetësisë: Ogerta Manastirliu dhe Armend Zemaj.
“Ishte një lapsus që u shpërnda nga mediat sikur Kosova nuk do të kishte qasje pozitive për shtetasit e Shqipërisë nuk do të hynin në territorin e Kosovës. Këtij vendimi i parapriu një takim mes dy ministrave dhe aty u bisedua më thellësisht sesa heqja e një handikapi si ai i vetëkarantimit prej 7 ditësh. Vendimi qeverisë ishte pak i paqartë. Ne do të vazhdojmë të lëvizim lirshëm në hapësirën Shqipëri-Kosovë, pa asnjë kufizim”, tha Minxhozi.
Sa i takon numrit të pushuesve që hyjnë në Shqipëri nga Kosova, Minxhozi tha se ka një reduktim me 2/3 në krahasim me një vit më parë. Kjo edhe për shkak të kufizimit të lëvizjes mes vetë Kosovës dhe vendeve të tjera të BE-së.
“Fluksi është minimal. Krahasuar me vitin e kaluar mund të them se është diku te 30-35%. Shkak është mungesa e lëvizjes mes vendeve. Mosardhja e shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë ka ndikuar. Prurjen më të madh të fluksit të Kosovës drejt Shqipërisë e kanë fundjavat, që nuk e kanë kaluar 20 mijë, kur një vit më parë kanë qenë deri në 70 mijë”, tha ai.



