Kandidat i PD për bashkinë e Lushnjës, Indrit Sefa, në një prononcim për MCN Live akuzoi të majtën se në 15 vite drejtim e ka degraduar qytetin. Sefa u shpreh se me të në krye të bashkisë s’do ketë më çeta inspektorësh që terrorizojnë qytetarët.
Jemi në terren nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona. U jam mirënjohës qytetarëve lushnjarë dhe u ndihem borxhli. Elektorati kërkon një mirëqeverisje vendore. Ka 15 vite që drejtohet kjo bashki nga e majta dhe qyteti ka ardhur drejt degradimit. Kemi ardhur në fushatë me mentalitet të ri dhe ide të reja”, tha Sefa.
Ky i fundit u shpreh se po zhvillon takime derë më derë, duke shtuar se gjithë kontribuuesit e PD-së në vite janë krah tij në këtë fushatë.
Njerëzit në Lushnjë nuk po marrin shërbimet. Bashkia është institucion i mbyllur dhe vertikal. Ndarja administrative s’ka sjellë përmirësim. Vizioni ynë është që bashkia të jetë aleate e qytetarëve. Do të ketë struktura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Nuk ka për të pasur kurrë një çetë inspektorësh që të terrorizojnë qytetarët. Në momentin që dikush merr iniciativën për të mirëmbajtur banesën e tij, i vërsulen të gjitha inspektoriatet”, tha ai.



