
9 persona janë arrestuar këtë të premte pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis dhe më pas i shisnin ato në zona të ndryshme të Tiranës.
Lidhur me këtë operacion gazetari Sokol Bregu deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se ky grup nuk ishte nga më të fuqishmit në treg, por hetimi zgjati 6 muaj pasi organizatorët shisnin me telefonin dhe nuk dilnin fare nga shtëpia e tyre.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Bregu tha se telefonin që merreshin mesazhe për porosi e mbante vetëm një person, kreu i grupit ndërsa shpërndarjen e bënte një anëtar tjetër që nuk kishte peshë të madhe.
Bregu bëri me dije që droga shitej në zonat ku jetojnë shtresa e mesme dhe ajo e pasur, pra aty ku ka para.
Kokaina ka treg dhe tregu e kërkon. Dhe pas këtij arrestimi do të ketë të tjerë që do i zëvendësojnë. Kjo është një histori jo vetëm shqiptare, por në mbarë globin. Droga është një problem dhe problemet nuk adresohen dot vetëm te policia. Gjithsesi duhet përshëndetur ky aksion pasi grupe të tilla duhet të goditen herë pas herë për për të dhënë një ide që forcat e policisë punojnë pavarësisht se në ndonjë moment mund të tolerohen, nëse nuk janë të dhunshëm apo nuk krijojnë probleme.
Po të pyesësh krerët e policisë ata thonë që tregu është aq i madh sa nuk mund t’i ndalosh dot të gjithë.
Pse ka ndenjur 6 muaj në hetim kjo çështje? Sepse kjo ndryshonte pak nga të tjerat, këtu shitej me telefon droga. Çifti kryesor që drejtonte këtë organizatë që nuk është ndër më të fuqishmet në Tiranë, është organizatë që ka një peshë, por jo shumë të madhe në shpërndarjen e drogës. Ka grupe të tilla të shumta, vështirësia ishte se nuk dilnin nga shtëpia, por shisnin me telefona. Kërkesa vinte me mesazh dhe dikush tjetër që luante një rol me pak të rëndësishëm në organizatë ia dërgonte në apartamentin e banimit apo në lokal .
Telefoni ishte i vetëm një personi, ai që drejtonte grupin, zakonisht nuk dilte nga shtëpia, ndaj policia ka hulumtuar më shumë.
Grupi shiste në zona që vërtetë banohet nga familje mesatare dhe të pasura ku ka para. Kokaina kushton aq lirë sa dhe pak po vjen në çmimin sa po shkon djathi në Shqipëri.
Mund ta gjesh deri në 30, ka çmime të ndryshme sipas kohës së gjatë që ti ke blerë tek një shitës. Po të shkosh për herë të parë do marrësh me një çmim të lartë. Është si një treg, një market lagjeje ku ti mund të blesh 2-3 copë me ofertë. Ndonjëherë shënon emrin. Nuk mund ta ndalësh trafikun e drogës pasi ka treg.



