Plastika, qeset dhe mbetjet urbane kanë pushtuar jo vetëm lumin Drino, por edhe shumë zona të tjera të Gjirokastrës. Përrenjtë që dikur ishin te pastër mes lagjeve të Gjirokastrës janë mbuluar nga mbeturina, ndërsa rrugët periferike janë kthyer në pika të vogla depozitimi.
MCN u ndal në disa zona të qytetit ku u evidentua po e njëjta situatë. Në hyrje të qytetit, në afërsi të rrugës nacionale, qeset plastike valëviten në degët e pemëve. Ndërsa më në jug, drejt lumit Drino, plehrat janë shpërndarë përgjatë bregut, duke krijuar një pamje që nuk i shkon aspak qytetit muze.
Ndotja e lumit Drino nuk është vetëm problem estetik për turizmin. Ajo rrezikon tokat bujqësore që ujiten me këtë ujë, dëmton biodiversitetin dhe krijon terren për sëmundje infektive. Në ditët me shi, situata bëhet edhe më e rrezikshme, pasi mbeturinat përhapen në fusha dhe rrugë, duke rritur rrezikun e përmbytjeve.
Banorët, të vetëdijshëm për situatën, pranojnë se faji nuk është vetëm i institucioneve, por mungon vetë ndërgjegjësimi publik.
Punonjësit e shërbimit publik marrin shpesh aksione pastrimi në gjithë pikat më problematike, por ndërkohë, duket se situata mbetet e njëjtë.
Situata kërkon ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve dhe veprime konkrete, në mënyrë që qyteti muze i Gjirokastrës të ruajë pastërtinë e tij.



