Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u përball me kritika të forta nga eurodeputetët në Parlamentin Europian në Strasburg, pasi deklaratat e saj për mënyrën se si Bashkimi Europian duhet të veprojë në arenën ndërkombëtare shkaktuan debat të gjerë.
Gjatë një fjalimi të mbajtur më herët para ambasadorëve të BE-së, von der Leyen tha se Europa duhet të bëjë një vlerësim të qartë të rolit të saj në botë dhe të rishikojë mënyrën se si merr vendime.
Ajo theksoi se BE-ja “nuk mund të jetë më kujdestare e rendit të vjetër botëror” dhe sugjeroi se vendimmarrja me unanimitet në disa raste mund të jetë një pengesë për veprim më të shpejtë.
Këto deklarata u interpretuan nga disa politikanë si një largim nga qasja tradicionale e Bashkimit Europian, e cila mbështetet fort te e drejta ndërkombëtare dhe te vendimmarrja me konsensus mes shteteve anëtare. Kritika erdhën edhe nga brenda vetë institucioneve europiane.
Zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Europian, Teresa Ribera, tha se mënyra se si u shpreh von der Leyen “ndoshta nuk ishte më e përshtatshmja”.
Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, António Costa, theksoi se politika e forcës nuk mund të zëvendësojë të drejtën ndërkombëtare.
Përballë reagimeve, von der Leyen zbuti tonin gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Europian.
Ajo deklaroi se të shohësh realitetin e botës nuk do të thotë të heqësh dorë nga parimet e Bashkimit Europian. “Bashkimi Europian u krijua si një projekt paqeje dhe do të vazhdojë gjithmonë të mbrojë këto parime”, u shpreh ajo.
Megjithatë, eurodeputetët nga grupe të ndryshme politike e kritikuan ashpër, veçanërisht për qëndrimin ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe për mënyrën se si po trajtohet situata ndërkombëtare.
Presidentja e grupit Socialdemokrat në Parlamentin Europian, Iratxe García, deklaroi: “Jo luftës, po të drejtës ndërkombëtare”.
Ajo shtoi se problemi nuk është nëse rendi botëror është i vjetër apo i ri, por kush lejohet ta shkelë atë.
Nga ana tjetër, politikani francez Jordan Bardella tha se sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit e kanë futur Lindjen e Mesme në një periudhë të re pasigurie.
Ndërsa Nicola Procaccini nga grupi Konservatorët dhe Reformistët Europianë theksoi se lufta e Ukrainës kundër Rusisë duhet të mbetet në qendër të politikës së jashtme të Bashkimit Europian.
Edhe përfaqësues të tjerë të grupeve politike kërkuan që Europa të mbrojë më fort të drejtën ndërkombëtare dhe të forcojë rolin e saj ekonomik për të pasur më shumë ndikim në politikën globale.
Von der Leyen u ndal edhe te ndikimi ekonomik i tensioneve në Lindjen e Mesme. Sipas saj, vetëm në 10 ditët e para të konfliktit, rritja e çmimeve të energjisë i ka kushtuar europianëve rreth 3 miliardë euro më shumë për importet e naftës dhe gazit.
Ajo theksoi se çmimet e gazit janë rritur me rreth 50 për qind, ndërsa çmimet e naftës me 27 për qind, duke shtuar se kjo tregon se Europa duhet të bëhet më pak e varur nga importet e lëndëve djegëse fosile.



