
Videoskandali i zëvendëskryeministrit austriak ka çuar në rënien e qeverisë. Pas dorëheqjes së numrit dy të qeverisë, Hans Christian Strache, kancelari Sebastian Kurz ka shkarkuar edhe ministrin e Brendshëm, Herbert Kickl.
Vetëm pak minuta më pas janë dorëhequr të gjithë ministrat e partisë ultra të djathtë, FPOE, që tani udhëhiqet nga ish-kandidati për president, Norbert Hofer.
Tre ditë pas pas publikimit të videos së zv.kancelarit Strache, që trazoi politikën austriake, kancelari Kurz njoftoi se i kishte propozuar presidentit Alexander Van der Bellen “largimin e ministrit të Brendshëm”, duke shtuar se “funksionet e tij do të ushtrohen nga zyrtarë të tjerë, në mënyrë që qeveria të mbetet funksionale”.
Kjo ka mjaftuar që e gjithë partia të tërhiqet nga koalicioni.
Tashmë pritet që austriakët të shkojnë në zgjedhje të parakohshme në fillim të shtatorit.



