
Komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ka zhvilluar sot seancën e saj të rradhës, gjatë së cilës është miratuar plani për hetimin dhe shkarkimin e presidentit Meta.
Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni njoftoi se tashmë kanë arritur shkresat nga SPAK nga AMA, nga policia dhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procesin e hetimit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Ndërkohë gjatë mbledhjes së sotme është miratuar edhe emërimi i dy ekspertëve ligjor të Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, përkatësisht të Erind Merkurit dhe Artan Spahiut.
Puna e tyre konsiston në dhënien e disa përgjigjeve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta si:
-Cili është roli i Presidentit në një Republikë Parlamentare?
-Cilat janë kompetencat e Presidentit?
-Cilat janë mënyrat si kryhen këto kompetenca?
-Cili është interpretimi i termit interes i përgjithshëm?
-Cilat janë ato kritere që vlerësojnë rëndësinë e një shkelje kushtetuese të gjitha burimeve të së drejtës që përmenda?
-Cilat janë përgjegjësitë e Presidentit në kuadër me marrëdhëniet me jashtë?
Deputeti i opozitës parlamentare anëtar i Komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, Myslim Murrizi ka sugjeruar që të vihet në dispozicion praktika e shkarkimit të presidentit të Italisë në vitin 1993.
Po ashtu Murrizi kërkoi që në seancën hetimore të thirrej edhe kreu i SHISH, edhe Drejtori i Policisë së Shtetit.
“Ne do të jemi deputet deri me datën 9 shtator. Ne nuk bëjmë gjyqe do të shprehemi me votë. Është hera e parë që një komision hetimor ka edhe një organ tjetër. E para është votimi në seancë dhe vendimi atij Kuvendi. Nëse do të jetë 94 do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese. Do doja që ta shtrinim pak kërkesën ne arshivat e parlamentit. Do doja të kishim në dispozicion praktikën e shkarkimit të presidentit të Italisë në ’93 pas kërkesës së një deputeti. Të na vihet në dispozicion praktika në Itali se çfarë hapash kanë ndjekur., unë nuk mjaftohem me Lituaninë. Do të doja të kishim shefin e SHISH apo dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, të zhvillohej një seancë dëgjimore”, është shprehur Murrizi.
Nga ana tjeter deputeti Spartak Braho, pasi ka lexuar disa nga deklaratat e Metës të dhëna para dhe gjatë procesit zgjedhore, ka kërkuar një vlerësim për gjendjen psikologjike te presidentit, për shkak të deklaratave të tij.
Ai i është drejtuar deputetit Stojku si mjek, me sugjerimin se si e vlerësoni gjendjen psiqike të presidentit se sipas tij populli e quan “të çmendur”.
“Nëse jo një pikë gjak mjerë ju nesër, duhet të jetë festa e demokrasicë, mos dëgjoni don Agaçion. Kriminelët janë të rrezikshëm, por më të rrezikshëm kriminelët e veshur me uniformë. Presidenti është shfaqur në deklarata në gjendje psikologjike aspak normale. Dua ti drejtohem Stojkut, si e vlerësoni gjendjen psiqike të presidentit mos jemi në kushtet të papranueshme të tij! Duhet të hetojmë edhe shkaqet. Këto janë veprime të një njeriu të çmendur se populli ashtu e quan, apo janë veprime të një njeriu që ka luhatje emocionale.
Stojku: „Ky është një problem krejt profesional mjekësor. Problemi këtu diskutohet për një luhatje të theksuar të humorit që gjendja e stresit varion me shqetësime që arrijnë në vendimmarrje të gabuara të individëve në pushtet. Nuk do të ishte keq, nëse mendohet pozitive nga komisioni një kqyrje më e thellë profesionale. Nuk e di nëse do të ishte udhës, por njihen stresi emocional, ndodhin dhe nuk duhet të ndodhin në vazhdimësi. Kur kemi disa shpërthime të herëpashershme mund të merret në konsideratë.
Bazuar në kalendarin e Komisionit, më 17 maj anëtarët do të administrojnë informacionet e marra.
Komisioni do të zhvillojë, më 18 maj, një seancë dëgjimore me presidentin Meta. Dy ditë më vonë, Komisioni do të shqyrtojë përfundimet e hetimit. Më 24 maj, pritet të mbyllet edhe raporti përfundimtar për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.



