
Kryetar në detyrë i degës së PD, Librazhd, Bujar Vreto në studion e lajmeve në MCN TV teksa ka komentuar lidhur me negociata e Partisë Demokratike për bashkim tha se krerët e degëve kërkuan identifikimin e kandidatëve.
Ai tha se problem nuk është ‘non grata’, ndërsa theksoi se Berisha është kreu i Foltores dhe kryetari i Partisë Demokratike. Sipas tij, PD nuk mund të bashkohet mekanikisht sepse brenda Partisë Demokratike është një ndarje filozofike.
Janë dy negociatorë, dy bashkëbisedues në fakt, por unë nuk e konceptoj si çështje që ata do të zgjidhin ndonjë problem, sepse të gjithë kryetarët e degëve dhe grupi parlamentar i PD, kanë koncept tjetër për zhvillimin e këtyre bisedimeve. Mendoj se kryetarët e degëve ishin të qartë për një arsye të vetme se kanë 9 vjet që mbajnë peshën e opozitës. Ky takim së pari sqaroi një çështje madhore që kryetarët e degëve kërkojnë fillimin e procedurave statuore për identifikimin e kandidatëve dhe ne këtë ekip që është pothuajse në stolin e rezerva që pritet të hidhet në betejë është i gatshëm, por përsëri duhet të rifreskojmë emrat me strukturat dhe anëtarësinë. Në fakt është një gjë që u evidentua në kolegjin e kryetarëve, nuk është vetëm non grata e SHBA, ne i kemi kërkuar Bashës që më herët që të rishikojë strukturimin e PD në qendër dhe në bazë. Kjo nuk ndodhi sepse siç duket liderët bashkëpunonin mirë me njeri tjetrin dhe sot PD nuk mund të bashkohet mekanikisht sepse brenda PD është një ndarje filozofike.
Më tej, Vreto u shpreh se e gjithë pjesa që është rrethuar Berisha sot, kanë qenë po ata rreth Bashës që e kanë çuar këtë parti në këtë nivel ku jemi sot, dhe sipas tij nuk po mendojnë si do përballen me Ramën, por si do mblidhen bashkë.
Berisha flet për primaret bashkë me simpatizantët, po kush janë këta simpatizantë? Ne jemi kundër në këtë sjellje, ky është mendimi im, por negociatat Bardhi- Paloka mbase do arrijnë diku, po unë nuk e mendoj se kjo do të ketë një zgjidhje. Jemi kategorikisht kundër përfshirjes së simpatizantëve. Ne duhet të kthehemi te 2008 ndryshimet kushtetuese. Marrëveshja Rama-Basha ka qenë në një dhomë të errët dhe asgjë s’ka dalë jashtë dhe asgjë nuk është shkruar. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur aty, por gjërat që kanë pasur marrëveshje ka qenë 2008 dhe sot kemi një kryeministër që e kemi mjaft të vështirë për ta rrëzuar që është i mbështetur te oligarkia, ekonomia. Prandaj ne duhet të jemi të mirë menaxhuar, të kthejmë kokën pas dhe të shohim ato që kanë ndodhur dhe të marrim masa për të ardhmen.



