
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbledhur sot Kolegjin e Kryetarëve, ku edhe është diskutuar data e protestës së opozitës. Protesta do të mbahet më 11 Maj, në orën 18:30.
Protesta e 11 majit, do t'i ngjajë asaj të 13 prillit, ku do të protestohet në orët e pasdites deri në mbrëmje. Gjithçka do të nisë tek Kryeministria dhe do të vazhdojë edhe tek Parlamenti, ku do ta udhëheq Forumi Rinor i Partisë Demokratike.
Kjo është protesta e dhjetë e opozitës së bashkuar, përmes së cilës opozita do të kërkojë krijimin e një qeverie tranzitore dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë në Kolegjin e Kryetarëve, kreu i PD-së, gjatë diskutimit me aleatët opozitarë, u shpreh se zgjedhjet pa opozitën janë farsë, dhe se ato nuk mund të mbahen me Edi Ramën kryeministër: “Ne nuk do të lejojmë më që krimi të diktojë zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017. Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot. Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet. Vetëm zgjedhjet e lira do t’i kthejnë legjitimitetin institucioneve, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej një viti e gjysëm, Gjykata e Lartë nuk funskionon, Prokuroria e Përgjithshme ështe e paligjshme dhe kur Parlamenti ilegjitim është kthyer në vegël te krimit dhe oligarkisë, që po grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë mjerim dhe pasiguri kudo.”- është shprehur Basha.
Kolegji i Kryetarëve ka vendosur edhe për përshkallëzimin e aksionit opozitar, duke nisur me protesta rajonale në akset kryesore kombëtare nga kjo e enjte.



