Aktivisti Arbër Lleshi u përfshi në një debat të fortë me deputeten Sara Mila gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku në qendër të diskutimit ishte financimi me 4.2 milionë euro i koncertit të reperit Kanye West.
Lleshi e cilësoi vendimin e qeverisë si të pajustifikuar, duke iu referuar nenit 101 të Kushtetutës, që rregullon nxjerrjen e akteve normative në raste nevoje dhe urgjence.
Neni 101 i Kushtetutës, ku bazohet ky vendim për 4.2 milionë euro, thotë se Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij nxjerr akte normative. Do të diskutojmë fjalën urgjencë dhe emergjencë? 4.2 milionë euro për një këngëtar fashist është një rast unik, që ndodh në Shqipëri vetëm me Edi Ramën kryeministër.
Aktivisti hodhi kritika edhe ndaj përfaqësimit të qeverisë në debatet publike, duke pretenduar se përballë tij nuk ishin të pranishëm zyrtarët përgjegjës për vendimmarrjen.
Zoti Rakipi, zonja që keni ftuar në emision as nuk i përfaqëson bëmat e qeverisë që i bën këto, sepse është sjellë si figurë për të shpëlarë imazhin e vjetëruar të qeverisë. Është për të ardhur keq që një zonjë e brezit tonë mbron një qeveri me 13 vite korrupsion. Nuk jemi në mbledhjen e partisë-shtet këtu. Ta shkruajnë përpara dhe e lexon me zë të lartë. Zonja nuk e përfaqëson qeverinë dhe ata që e përfaqësojnë nuk kanë guximin të vijnë në këtë studio, sepse nuk vijnë që të mbrohen.
Nga ana tjetër, deputetja Sara Mila kundërshtoi akuzat e Lleshit, duke kërkuar që ai të sillte prova për pretendimet e tij mbi korrupsionin dhe duke theksuar se po shprehte opinione personale, jo fakte.



