Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve mes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të BE, Josep Borrell, të dërguarit për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
“Në aneks përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen i marrëveshjes bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk duhet të shprehin obstruksione në ndonjë nen. Në takimin e parë, bilateral me Borrellin dhe Lajçakun, më është kërkuar që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar me nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bërë të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnim pa u dakorduar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar. Aq më shumë për shkak se Vuçiçi ka një kohë që deklaron se nuk ka pranuar një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zbatojë atë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”, tha kryeministri i Kosovës.
“Qëndrimi i zotërinjve Borrell dhe Lajçak ishte që sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes duhet të bëhej në një mënyrë të tillë që të ishte e pranueshme edhe për Serbinë që e donte Asociacionin si prioritet dhe heqjen e neneve të njohjes së ndërsjellët", u shpreh Kurti duke shtuar se në takimin trepalësh: "U ekspozova përball një skenari që Lajçaku e kishte dizajnuar kohë më parë”.



