
Në nismë të sezonit turistik 2023, dhe pavarësisht ecurisë së mirë së turizmit, sektori i shërbimeve edhe këtë vit po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, në një intervistë për MCN live, pohon se për një mbarëvajtje të mirë të një sezoni nevojiten 10 mijë punonjës por që duhet të jenë të mirtrajnuar. "10 mijë persona do ishin ata që do e kënaqnin sektorin e turizmit, por do duhej të ishin këta 10 mijë që do të ishim të aftë për ti dhënë sektorit një impakt pozitiv. Pasi vërtete kemi boom turistësh, por këta nuk po shërbehen siç duhet. Kështu që edhe kjo do mund të na kthehet në bumerang nëse nesër pasnesër se sa do të jemi të aftë ti presim këta turistë". Sipas Jahaj, ajo që e bën më të dhimbshëm faktin është se krahas infrastrukturës hoteliere dhe bar, restoranteve, bizneset nuk investojnë fare në burime njerëzore, që do të ofronin një shërbim efikas për klientët. "Ne zakonisht në turizëm duam ti bëjmë punët shumë të mëdha, të ndërtojmë kështjella, por pastaj kuptojmë se kështjellat janë prej rëre. Jemi akoma shumë herët që të kuptojmë se kush është realisht shërbimi dhe se çfarë është shërbimi i turizmit, që dmth për sa kohë shumica e shqiptarëve po dalin jashtë për turizëm, ky duhet të jetë një kambanë alarmi për sa kohë neve nuk jemi të aftë ti shërbejnë tanëve, atyre të huajve nuk besojmë se do jenë aq të kënaqur dhe do kthehen. Nuk dua ta nxijë por po them se jemi shumë herët të të kuptuarit të turizmit, të të kuptuarit të shërbimeve. Nuk mund të krahasohemi as me fqinjët tanë grek e italian dhe jemi shumë larg për të kapur standarde të tilla, pavarësisht se investime e tilla janë shumë domethënëse dhe janë të larta, dhe mendoj se strukturat e hotelerisë dhe bar restoranteve nuk i kam asnjë vend i rajonit, por nga ana tjetër në burime njerëzore askush nuk ka investuar. Ne këtë aspekt ne kemi ende njerëz mediokër të cilat pa të trajtuar dalin japin trajnime për të tjerët".



