
Policia e Las Vegas raportohet se ka arrestuar një burrë në lidhje me vrasjen e reperit Tupac Shakur gati tre dekada më parë.
Legjenda e hip-hop-it u qëllua katër herë gjatë të shtënave me makinë në Las Vegas në vitin 1996. Identiteti i vrasësit mbetet ende mister. Të premten në mëngjes policia e Las Vegas arrestoi një burrë, sipas burimeve që folën për agjencinë e lajmeve AP.
Shakur ishte vetëm 25 vjeç kur u nda nga jeta. Ai vdiq më 13 shtator 1996, një javë pasi u qëllua katër herë në makinën e tij ndërsa priste në semafor. ABC News citoi një zyrtar të lartë ligjor i cili konfirmoi se një i dyshuar ishte arrestuar në lidhje me vrasjen e Shakurit dhe se akuzat do të shpalleshin të premten pasdite.
Vdekja e reperit, një nga më të vlerësuarit në hip-hop, ka frymëzuar disa dokumentarë. Shakur, emri i të cilit ishte stilizuar si 2Pac, publikoi albumin e tij debutues në 1991.
Ai shiti më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën, duke shijuar suksesin e top-listave me hite, duke përfshirë California Love, All Eyez On Me dhe Changes. Në qershor të këtij viti, reperi mori një yll pas vdekjes në "Hollywood Walk of Fame".



