E.N \ TemA TV
9 ditë pasi është nisur nga Porti i Durrësit, peshkarexha “Çelepia” ndodhet ende në det të hapur dhe nën kontrollin e egjiptianit 30 - vjeçar Adel Muhamad Salam. Egjiptiani aktualisht po mban peng dy marinarë shqiptarë, kapitenin Dhimitër Malja, 54 vjeç, dhe marinarin Luan Mema 56 vjeç ndërsa, sipas raportimeve më të fundit, kërcënon se do t’i vër flakën peshkarexhës dhe ekuipazhit nëse nuk i kalohen nëpërmjet Western Union një sasi e konsiderueshme parash. Mes 70 dhe 100 mijë euro, por me afat deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme.
Situata mbetet tragjike pasi afati kohor i caktuar nga egjiptiani është në prag skadimi ndërsa autoritetet ende nuk e kanë të qartë vendodhjen e peshkarexhës pasi pengmarrësi ka fikur sistemin e lokalizimit GPS. Por nga ana tjetër disa media të Tiranës kanë transmetuar disa mesazhe audio të Salam ku ky i fundit kërcënon të birin e pronarit të “Çelepia”, Florian Çelepia se do të djegë barkën dhe lë si afat orën 20:00 për kalimin e parave me anë të WU. Nga mesazhet audio të bëra publike deri më tani, në njërën prej tyre dëgjohet dhe marinari Luan Mema i cili kërkon ndihmë, ndërsa për kapitenin e anijes, 56 vjeçarin Dhimitër Malja, ende nuk dihet asgjë mbi fatin e tij.
Gjithashtu Salam, duke përdorur një kartë telefonike egjiptiane, i ka nisur në telefon Florian Çelepisë dhe një sër fotosh ku tregon se ka djegur në disa pjesë peshkarexhën për të treguar se është i gatshëm t'i shkojë gjer në fund kërcënimit.
Më poshtë mesazhi audio ku Salam kërcënon Florian Çelepinë se do të djegë peshkarexhën nëse nuk kalon paratë në kohën e duhur.



