Përleshjet me armë zjarri dhe bombardimet tronditën të shtunën qytetin Rafah në pjesën jugore të Gazës, thanë dëshmitarët.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ndihmat e para humanitare kishin hyrë në territorin e rrethuar përmes një platforme pluskuese të ndërtuar nga ushtria amerikane.
Luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë janë ndezur përsëri në pjesën veriore të Gazës ndërsa kanë kaluar 10 ditë që kur ushtria izraelite njoftoi fillimin e një operacioni të kufizuar në Rafah.
Spitali kuvajtian tha se një sulm izraelit gjatë natës la dy të vrarë në një kamp në Rafah.
Dëshmitarët njoftuan për luftime të ashpra dhe bombardime në juglindje të qytetit dhe avionë që bombarduan zonat lindore.
Korrespondentë të agjencisë franceze të lajmeve, AFP, dëshmitarë dhe mjekë thanë se gjatë natës pati luftime intensive në kampin e refugjatëve në Jabalia.
Një ditë më parë ushtria izraelite njoftoi për luftimet më të ashpra në qytet në më shumë se shtatë muaj luftë.
Ushtria izraelite ka goditur militantët e Hamasit në pjesën veriore të territorit ndërsa në jug militantët sulmuan tanket izraelite që po grumbullohen rreth qytetit Rafah.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se gjatë ditëve të ardhshme pritet dërgimi i rreth 500 tonë ndihma në Gazë përmes platformës pluskuese.



