
Grupet që u prekën më shumë nga pandemia, ishin gratë dhe të rinjtë. Të dhënat e INSTAT publikuar nga Monitor tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2020 humbën punën mbi 12 mijë e 600 të rinj në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Shumë të rinj që kanë humbur punën janë drejtuar për ndihmë në zyrat e punës. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tre mujorin e katërt të vitit 2020 ishin të regjistruar të papunë rishtas në zyrat shtetërore të punës rreth 5000 të rinj të moshës 15-29 vjeç.
Të dhëna të tjera sektoriale sugjerojnë se të rinjtë që kanë humbur punën ishin të punësuar në sektorin e shërbimeve dhe bizneseve të lidhura me turizmin, si hotelet, baret dhe restorantet.
Rritja e papunësie në moshën 15-29 vjeç ndikon për keq trendët e emigracionit në vend që ishin të larta edhe para krizës pandemike.
Studimi mbi të Rinjtë 2018-2019 i institutit Gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) tregon se potenciali për të emigruar në grup-moshën 15-29 vjeç është rreth 60%.



