
Emisioni Xhadat denoncoi konfliktin në të cilin shteti ka futur dy fqinj në fshatin Plug në Lushnje. Shkak është bërë mungesa e kanalizimeve.
Në Plug rreth 13 familje janë pa kanalizime, ndonëse i paguajnë rregullisht detyrimet pranë ndërmarrjes së Ujësjellës -Kanalizimeve Lushnjë.
Ata funksionojnë me gropa septike, që i kanë ndërtuar dhe duhet të paguajnë vetë për t`i pastruar.
Njëri nga banorët pretendon që fqinji i derdh ujrat e zeza në kanalin kullues, që i kalon pranë shtëpisë dhe jo në gropë septike. Konflikti mes fqinjëve degradoi në sharje e fyerje, deri tek gurët e lopatat.
“Problemi kryesor siç tha ai shoku është bashkia në rradhë të parë pastaj jam unë me këtë , se edhe ky s`ka faj se i ka ujërat e zeza aty por edhe unë s’kam faj që po mbaj një lagje të tërë që kur bie shi janë para shtëpisë time. Konflikti im është tani, ka ardhur bashkia deri tani 100 herë, e pata tubin këtu e hoqa se e kisha drejtpërdrejtë, e çova atje tubin si duket, tani unë ujërat e zeza i kam bllokuar, këtu janë ujërat e lavatriçes dhe të baçes” -u shpreh Kamber Haruni.
“ Në rradhë të parë ky është fajtori i tërë këtij problemi. Unë i kam zënë që nga komuna, te Bashkia te inxhinierat tek të gjithë. Kur erdhi puna ky ka shkelur ligjin se i ka nxjerrë ujërat në terren, ujrat e zeza.Si gjithë familjet e tjera me gropë. Ta pastroj atje.Kur ky të heqi tubin kanali atëherë të rri lirisht me ujra të bardha”.-tha fqinji i tij.
Xhadat ju drejtua ndërmarrjes së Ujësjellës -Kanalizime Lushnjë ku menaxheri i sektorit të kanalizimeve u shpreh se e njihte situatën për të cilën kishin ndërhyrë duke marrë edhe masa.
“Ne kemi pas një ankesë nga komshiu i zotërisë që ky shkarkonte ujërat e zeza në kanal të hapur dhe me ndërhyrjen e organeve të tjera që ishin një grup pune nga bashkia dhe nga njësia shkuam dhe ne. Ne jemi për pjesën e zbatimit. Kemi ndërhyrë i bllokuam tubin zotërisë se kishte ankesë qytetari përballë” -tha ai.
I pyetur në lidhje me mungesën e kanalizimeve për të cilat UK Lushnjë takson qytetarët Renald Baçe u shpreh:
“Zgjidhja e këtij problemi do jetë kështu:Në rradhë të parë unë do studioj njëherë në qoftëse ka mundësi për ndërtimin e një rrjeti kanalizimesh. Nëqoftëse kjo është e munduar të bëhet që përfshin pjesën e kuotave ose terrenit ndërhyrjet të gjitha, në qoftëse kjo është e mundur ok do ta bëjmë një rrjet kanalizimesh për tërë lagjen atje, se nuk është ndonjë investim madhor. Është mundësia që ne ta bëjmë nëqoftëse kjo s’është e mundur atëherë gjithsecili duhet të bëjë gropën e vetë septike dhe ta mirëmbajë vetë, kjo është. Une do mundohem që të shkoj që nesër, di kërkoj dhe bashkëpunimin të një organi nesër sepse ne nuk kemi aparat për matje kuotash, aparat topografik edhe mundësisht që ne të shkojmë që të masim kuotat ta shikojmë aty”.
Në konfliktet e vazhdueshme ka marrë pjesë dhe policia, e cila konfliktin e ka referuar tashmë në prokurori.



